Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, Z. Olsian Çela në Tryezën mbi Çështjet Zgjedhore: Angazhim serioz institucional dhe transparencë për hetimin e veprave penale që cënojnë zgjedhjet

E vlerësova maksimalisht pjesëmarrjen në këtë takim për dy arsye. Së pari për rolin e rëndësishëm që ka prokuroria në procesin zgjedhor në shërbim të mbrojtjes së interesit publik e nevojën për të vlerësuar me përgjegjësi çdo kontribut që i shërben veprimtarisë sonë; dhe së dyti për vetë karakteristikat e produktit që i prezantohet kësaj tavoline të rrumbullakët, raporte me gjetje dhe rekomandime për një periudhë aktiviteti 7-vjeçar në këtë aspekt. 
Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar në garantimin e mbrojtjes juridiko penale të zgjedhjeve të lira dhe sistemit demokratik të zgjedhjeve, duke marrë masa ligjore institucionale për rritjen e efektivitetit të hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale ndaj autorëve të veprave penale që prekin zgjedhjet e lira. Në këtë kuadër, masat institucionale kanë synuar në:
- Nxjerrjen e akteve normative për të unifikuar organizimin dhe funksionimin e prokurorive gjatë periudhës zgjedhore;
- Bashkëpunimin për trajnimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore në fushën e zgjedhjeve si dhe angazhimin e përfshirjen e prokurorëve në trajnimin e personelit të policisë kriminale, në përgjigje të kërkesës për bashkëpunim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në fazën e hetimeve paraprake, u është kërkuar prokurorëve të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate të përshpejtuara, çdo referim dhe kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor, në bashkërendim me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për kallëzimet e paraqitura prej saj, dhe me agjencitë ligjzbatuese të specializuara, për kryerjen e hetimeve proaktive, përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit sipas ligjit, si dhe rritjen e intensitetit të hetimeve për këto grupvepra penale. Gjithashtu, ju është kërkuar t’i kushtojnë rëndësi caktimit të masave të sigurimit personal për këto grupvepra penale, të vlerësojnë ashpërsimin e kërkimeve, si për llojin e masave të sigurimit personal, ashtu dhe per llojin dhe masat e dënimit për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.
Është ngritur edhe një strukturë në Prokurorinë e Përgjithshme e cila shërben si pikë kontakti që bashkërendon, koordinon dhe shkëmben informacion me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, agjencitë ligjzbatuese dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke garantuar ruajtjen e sekretit hetimor.
Për të siguruar një qasje bashkëpunimi, ndërgjegjësim dhe besim të publikut ndaj organeve të ndjekjes penale në luftën kundër krimit zgjedhor, është krijuar një rubrikë e veçantë në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, ku janë ftuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit që kanë dijeni ose që kanë cënuar interesat e tyre si zgjedhës ose të konstatuara prej tyre në periudhën parazgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.
Të dhënat në lidhje me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve tregojnë se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 25 procedime penale dhe 19 të pandehur, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar 26 procedime penale dhe 16 të pandehur. Janë dëguar për gjykim 2 procedime penale me 14 të pandehur dhe janë dënuar 2 të pandehur, ndërkohë që në vitin 2022 janë dërguar për gjykim 3 procedime penale me 16 të pandehur dhe janë dënuar 14 të pandehur. 
Sipas veprave penale, rezulton se peshën më të madhe të procedimeve të regjistruara e përbën vepra penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, për të cilën janë regjistruar 8 procedime penale dhe 6 të pandehur; për veprën penale të parashikuar nga “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” janë regjistruar 5 procedime penale dhe 10 të pandehur, ndërkohë është dërguar për gjykim 1 procedim me 10 të pandehur dhe është dënuar 1 i pandehur; për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” janë regjistruar 4 procedime penale dhe është dënuar 1 i pandehur; për veprën penale “Pengimi i zgjedhësit” janë regjistruar 3 procedime penale; për veprën penale “Shkelje të fshehtësisë së votimit” janë regjistruar 2 procedime penale dhe 2 të pandehur, etj.
Megjithatë, përtej vullnetit institucional, statistikave zyrtare dhe perceptimit të përgjithshëm për rolin e prokurorisë në procesin zgjedhor, një raport që ka marrë në analizë një sasi të madhe informacioni të nxjerrë nga vendimmarrjet e prokurorëve, përbën një këndvështrim kritik të domosdoshëm për performancën e sistemit e prokurorisë dhe të vetë prokurorëve në drejtim të vlerësimit të cilësisë së punës së tyre. Ndaj në komunikimet me organizatorët e këtij eventi si dhe me drejtuesit e prokurorive, kërkova një koordinim të procesit të pjesëmarrjes në këtë tavolinë përmes Prokurorisë së Përgjithshme, për të dhënë sinjalin se hetimi i krimit elektoral është një sfidë e rëndësishme që duhet të trajtohet në nivel institucional, pasi vetëm një qasje e tillë siguron jo vetëm vëmendjen e duhur, por i shërben edhe një reflektimi serioz mbi çështjet e evidentuara. Ky takim duhet të shërbejë për një shkëmbim konstruktiv pikëpamjesh mes prokurorëve dhe gjithë kontribuesve në këtë proces, për të ballafaquar jo vetëm këndvështrimet mbi gjetjet apo rekomandimet, por edhe për të rritur transparencën e institucionit në raport me të gjithë aktorët e interesuar për rolin e prokurorisë në procesin elektoral. 
Në këtë pikë, do t’i kthehem sërish raporteve të cilat i kam lexuar me shumë vëmendje dhe përfitoj nga rasti të përgëzoj autorët për punën e kryer. Në raporte, edhe pse mund të ndeshet ndonjë pasaktësi statistikore, ka gjetje mjaft interesante dhe me vlerë, ndërkohë që janë trajtuar dhe mbajtur qëndrime për çështje të diskutueshme që meritojnë të debatohen, të cilat janë të pashmangshme për vetë natyrën e procesit. Raportet kanë trajtuar përgjithësisht çështjet e mosfilluara apo të pushuara, duke u fokusuar tek problemet e hasura e që meritojnë vëmendjen maksimale nga ana jonë në trajtim. Vlerë e shtuar për raportet mund të kishte qenë edhe një pasqyrim më i plotë i përvojave pozitive që nuk mungojnë, ndaj më lart solla disa të dhëna statistikore nga vitet 2022 dhe 2023.
Gjithsesi, përtej perceptimeve të ndryshme që mund të ketë ndaj gjetjeve dhe rekomandimeve, është për t’u vlerësuar iniciativa e ndërmarrë dhe kurajoja profesionale e autorëve, e cila i shërben jo vetëm transparencës në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore, por njëkohësisht ka siguruar të dhëna me vlerë analitike në të gjitha nivelet e organizimit të punës, sidomos në drejtim të performancës së prokurorëve, drejtuesve dhe prokurorive ku ata ushtrojnë funksionet. Nisur nga sa më sipër, sigurimi i llogaridhënies përmes vlerësimit profesional apo procesit disiplinor në funksion të rritjes së efektivitetit dhe efiçensës përbën një nga sfidat aktuale në sistemin e prokurorisë, ashtu si dhe shtrohet nevoja për gjetjen e mekanizmave ndihmës që do të nxisnin më tej mirëfunksionimin dhe kohezionin institucional. 
Nga raportet konstatova me keqardhje një mungesë relative të frymës së bashkëpunimit nga prokuroritë për vënien në dispozicion të të gjithë vendimeve të kërkuara prej autorëve të raporteve, në kundërshtim me kërkesën që u është përcjellë përmes udhëzimit të përgjithshëm për marrjen e masave për garantimin e transparencës për gjithë veprimtarinë tonë në procesin zgjedhor. Në çdo takim të kryer në prokuroritë e rretheve gjyqësore apo kontaktet me drejtuesit e tyre, kam kërkuar që jo vetëm të jenë bashkëpunues, por madje të luajnë vetë një rol proaktiv në drejtim të transparencës mbi hetimin e krimit zgjedhor për çdo vendimmarrje. Besoj vërtet se ka qenë nevoja këtu që Prokuroria e Përgjithshme të ishte vënë në dijeni të këtyre pengesave të hasura nga KShH, me synim eleminimin apo parandalimin e tyre pasi pamjaftueshmëria e informacionit të mbledhur ndoshta mund të ketë ndikuar edhe në gjerësinë dhe thellësinë e gjetjeve të raporteve. 
Megjthatë, ky është një shembull tipik mbi konfuzionin që organizimi i ri të prokurorisë ka shkaktuar tek pothuaj të gjithë ata që ndërveprojnë me të, duke mos kuptuar sa duhet rolin koordinues që luan Prokuroria e Përgjithshme në ushtrimin e funksioneve të institucionit, ku pa diskutim, sigurimi i transparencës dhe frymës së bashkëpunimit si ndërinstitucional ashtu edhe me shoqërinë civile dhe publikun përbën një nga prioritetet e punës sonë. 
Për të gjitha arsyet që përmenda më lart, është nevoja që prokurorët e pranishëm sot të kontribuojnë aktivisht në këtë tryezë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së gjetjeve dhe rekomandimeve që paraqesin raportet, me përgjegjësinë e ballafaqimit me çështjet e parashtruara dhe vlerësimin e duhur profesional për identifikimin e zgjidhjeve objektive në këtë kontekst për të ardhmen.
Në përfundim të kësaj fjale, dua t’i siguroj të gjithë se angazhimi jonë në hetimin e krimeve zgjedhore ka qenë dhe të vazhdojë të jetë serioz dhe gjetjet e këtyre raporteve do të vijojnë të trajtohen edhe në analizat vjetore në prokuroritë e rretheve gjyqësore si dhe më tej përgjatë vitit në vazhdim, me synim identifikimin e zbatimin e masave për rritjen e cilësisë së punës së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në këtë drejtim.