Njoftime për Shtyp

Rritja e eficencës në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi, Prokurori i Përgjithshëm, Çela, nënshkruan marrëveshje me Guvernatorin e Bankës dhe Ministrin e Brendshëm

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për rritjen e eficencës në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi, si dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale në këtë fushë.

Kjo marrëveshje përcakton mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet palëve për rritjen e efektivitetit, aftësisë dhe bashkëveprimit ndërinstitucional kundër falsifikimit të monedhave, si dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në këtë fushë.

Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela vlerësoi se kjo marrëveshje do të forcojë më tej bashkëpunimin ndërmjet palëve në këtë fushë. 
 
Sipas tij, Prokuroria e Përgjithshme, angazhohet për rritjen e efektivitetit në luftën kundër falsifikimit të monedhave si dhe të shkëmbejë informacione me institucionet e përfshira jo vetëm për autorët që kryejnë këto vepra penale por edhe për natyrën e veprave penale që lidhen me falsifikimin.
 
Kjo marrëveshje është punuar dhe finalizuar nga ekipet teknike repektive të të tre insitucioneve dhe është rekomandim i Komisionit Evropian, në kuadër të detyrave në Kapitujt 24 dhe 32 të procesit të integrimit, për mbrojtjen e parasë nga falsifikimi.