Ligji 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”

Neni 108

Paraqitja dhe shqyrtimi i shprehjes së interesit

1. Brenda 15 ditëve nga shpallja e thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit, prokurorët e interesuar shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm.
2. Shprehja e interesit mund të bëhet në adresën elektronike të përmendur në thirrjen për paraqitjen e shprehjeve të interesit ose në adresën postare të Prokurorisë së Përgjithshme.
3. Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin të paktën dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) deklaratat individuale të prokurorëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht;
c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
d) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991;
dh) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;
e) informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues
ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton dhe vë në dispozicion të të interesuarve një formular tip për dhënien e këtij informacioni;
ë) listën e personave të lidhur, sipas kuptimit të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.


Neni 279

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

1. Jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, prokurorët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Prokurorisë paraqesin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është krijuar ende, kërkesa depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
2. Brenda të njëjtit afat të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, prokurorët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i paraqesin Prokurorit të Përgjithshëm dokumentacionin përkatës, sipas nenit 108 të këtij ligji. Prokurori i Përgjithshëm vë në dispozicion të prokurorëve të interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit formularët tip, të parashikuar nga shkronjat “b”, “c” dhe “e”, pika 3, të nenit 108, të këtij ligji.
3. Brenda 7 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit, sipas nenit 108, të këtij ligji, Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore, sipas procedurave të parashikuara në nenin 109 të këtij ligji. Në rast se kandidati nuk i plotëson kriteret, Prokurori i Përgjithshëm njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
4. Brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të shprehjes së interesit dhe dokumentacionit, sipas pikës 1, të këtij neni, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën rivlerësimin e prokurorëve që kandidojnë. Prokurori, i cili, me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk e kalon procedurën e rivlerësimit, përjashtohet nga procesi i kandidimit, edhe kur ndaj vendimit të komisionit është ushtruar ankim. Zgjedhja e kandidatëve vazhdon pa pjesëmarrjen e këtij kandidati.
5. Jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm listën me emrat e kandidatëve prokurorë që e kaluan me sukses procedurën e rivlerësimit.
6. Brenda 3 ditëve nga data e mbërritjes së listës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Prokurori i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve. Procedura e zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të Këshillit përfundon brenda 20 ditëve nga data e thirrjes.
7. Anëtari i zgjedhur nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, një nga anëtarët që vjen nga prokuroritë e apelit, i zgjedhur me short, si dhe një nga anëtarët që vjen nga prokuroritë e shkallës së parë i zgjedhur me short, shërbejnë vetëm për një mandat 3-vjeçar.
8. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, strukturat përgjegjëse për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë jomagjistratë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë fillojnë veprimet dhe procedurat e parashikuara nga ky ligj për përzgjedhjen e kandidatëve. Procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përfundojnë brenda 4 muajve.
9. Nëse Prokurori i Përgjithshëm nuk e thërret Mbledhjen e Përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë brenda 3 ditëve pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit të kandidatëve, mbledhjen e thërret menjëherë një e dhjeta e anëtarëve.
10. Mosthirrja e Mbledhjes së Përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ose tejkalimi i afatit për thirrjen e saj, si dhe mosfillimi i procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbëjnë shkelje disiplinore për subjektet e parashikuara në pikat 8 dhe 9 të këtij neni.
11. Deri në krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, detyrat e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas neneve 121 deri në 129 dhe neneve 131 dhe 132, të këtij ligji, ushtrohen nga një prej kryetarëve të Kolegjeve të Gjykatës së Lartë të zgjedhur me short.

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.