E nderuar Shkëlqesia Juaj, Ambasadore e Francës në Shqipëri, zonja Vasak,
Te nderuar Shkëlqesi , ambasadorë të Republikës së Francës në Ballkan,
E nderuar zonja Nisand, përfaqësuese e  Ministrisë së Drejtësisë Franceze,
Kolegë dhe të ftuar,

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë falenderon autoritetet Franceze dhe, në rastin konkret, Ministrinë e Drejtësisë së Francës, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar institucionit tonë.
Një vend si Shqipëria, i cili duhet të përballojë sfida të mëdha për integrimin në Bashkimin Europian, e ka të domosdoshme të ketë në krah një shtet të madh, me demokraci të konsoliduar prej shekujsh, si Franca.
Tema e sotme e diskutimit është lufta kundër narkotikëve, teme e cila është çështje kryesore e diskutimeve në ambjentin publik dhe politik shqiptar. Vendi ynë po bën përpjekje të vazhdueshme për luftën kundër narkotikëve, por gjithësesi ka ende nevojë për shumë punë, që të arrihen rezultatet e kërkuara.
Pak ditë më parë, Drejtori i Antimafias Italiane, zotit Franko Roberti, në një konferencë gjyqësore në Itali prezantoi idenë se Parlamenti Italian duhet të legalizojë drogat e lehta, për faktin se struktura që ai drejton ka vështirësi të mëdha në përballimin e hetimeve të shumta mbi trafikun e kanabisit nga disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në fakt, shqetësimi i tij nuk është i ri për Prokurorinë Shqiptare. Zoti Roberti e ka prezantuar atë edhe gjatë takimeve tona zyrtare. Prokuroria Shqiptare i ka dhënë garanci të plota Drejtorisë së Antimafias Italiane se do të bashkëpunojmë fuqimisht për të luftuar grupet kriminale që trafikojnë lëndë narkotike.
Por, përtej garancisë së shprehur nga ana jone, e cila edhe është faktuar në shumë raste, kjo është e pamjaftueshme për të arritur rezultatet e pritshme. Hetimet e Antimafias Italiane, së fundmi, kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë tonelata lënde narkotike kanabis ne shume raste kjo është realizuar dhe me mbështetjen e individeve qe kane per detyre goditjen e ketij krimi.
Pra, kjo është gjendja aktuale, e cila më detyron të shprehem në këtë takim se situata nuk është më e mira e mundshme.
Institucionet Shqiptare, sipas detyrave e detyrimeve të përcaktura në kompetencat e tyre ligjore, duhet të jenë më efikase në veprimet në terren. Këtu e kam fjalën edhe për institucionet që kanë për detyrë parandalimin, mbledhjen e informacionit, identifikimin dhe referimin në organin procedues të çdo rasti, si të individëve, ashtu  edhe të grupeve kriminale që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Gjithashtu, është e rëndësishme që të sigurohet një kontroll më i rreptë i vijës kufitare me mjetet që kanë në përdorim, me qëllim zbulimin në kohë të rasteve të trafikut të lëndëve narkotike. Faktet  tregojne se këto institucione, më së paku, nuk kanë përmbushur detyrën e tyre.
Lufta kundër kanabisit është prioritet mbi prioritetet për shtetin Shqiptar. Disa muaj më parë, Qeveria Shqiptare ne bashkepunim me partneret nderkombetar ka hartuar një strategji kombëtare në luftën kundër kanabisit, srategji e cila aktualisht është duke u përmirësuar.
Nga ana tjetër, është shtuar dhe forcuar ndjeshëm bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore ndërkombëtare, përfshirë edhe autoritetet Franceze. Unë shpreh kënaqësinë që bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Shqiptare dhe autoriteteve hetimore Franceze ka njohur rritje të ndjeshme, me rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.
Madje, edhe gjatë punimeve të këtij takimi, ne kemi vendosur të avancojmë me tej në drejtim të bashkëpunimit.
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë dhe Drejtoria për Çështjet Penale në Ministrinë e Drejtësisë së Francës do të nënshkruajnë Protokollin për krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore. Qëllimi është forcimi i bashkëpunimit në çdo fushë, por sigurisht lufta kundër narkotikëve ka një fokus të veçantë.
Prokuroria Shqiptare, prej vitit 2014, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me DNA-në e Italisë. Kjo Marrëveshje është shoqëruar me kryerjen e veprimeve të përbashkëta hetimore, të finalizuara me arrestimin e personave dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, Prokuroria Shqiptare shpreh vlerësimet e saj pozitive për bashkëpunimin me autoritetet hetimore të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Sot kemi nderin që të kemi në këtë takim Prokurorin e Përgjithshëm të Malit të Zi, zotin Veselin Vuçkoviç, si edhe zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Maqedonisë.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet do të shërbejë për forcimin dhe efikasitetin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit tonë, sidomos në shkëmbimin e drejtëpërdrejtë dhe pa vonesë të të dhënave ndërmjet zyrave tona. 

Kjo është ana teknike e diskutimit. Por, ka edhe një anë tjetër, e cila është shumë e nevojshme për t’u përmendur në rastet e vendeve me demokraci në zhvillim, si në rastin e Shqipërisë. Është ajo që lidhet me ndarjen e pushteteve.
Vendet e zhvilluara, me demokraci e institucione të konsoliduara, e kanë pranuar dhe perfeksionuar ndarjen dhe rolin e pushteteve në mënyrë të pavarur me njëri-tjetrin. Pushtetet bashkohen vetëm në një pikë, në forcimin e bashkëpunimit për të mirën e përgjithshme të qytetarëve.
Këto janë standartet e demokracisë perëndimore, për të cilat në Shqipëri po punohet për t’i arritur.
Në Shqipëri, së fundmi, është miratuar Reforma në Drejtësi. Një prej risive kryesore të saj është krijimi i kushteve për një pavarësi të plotë të prokurorëve gjatë hetimeve të tyre. Pra, ata janë zotër të çështjes. Por, është shumë e rëndësishme që prokurori, në çdo rast, të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pa frikësuar, edhe në ato raste kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë publikë.
Në fund të fundit, ky është standarti ndërkombëtar që Shqipëria synon t’i përafrohet. Dhe ne besojmë se, të gjithë bashkë, do të punojmë që këto standarte të arrihen në një kohë sa më të shpejtë. Kjo është një sfidë, të cilën shumë vende të tjera e kanë kaluar para Shqipërisë dhe ia kanë dalë me sukses. Edhe Shqipëria, natyrisht dhe me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve të rëndësishëm, si Franca, do t’ia dalë me sukses.
Ju faleminderit për vëmendjen,

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.