Kryeprokurorja Arta Marku: “Kushtetuta dhe ligji, serioziteti dhe integriteti janë busulla ime

Intervistë e Prokurorit të Përgjithshëm znj.Arta Marku në televizionin “Vizion Plus”. Intervista për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla u zhvillua në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm

-Zonja Marku, faleminderit që jeni në intervistën tuaj të parë, me mua në “Vizion Plus” në “Real Story”.
-Kryeprokurorja Arta Marku: “Faleminderit ju! Është kënaqësi”.
-Përveç interesit ka edhe kuriozitet të madh, pasi që në momentin e parë që emri Juaj doli si një nga kandidaturat e mundshme dhe më pas si kandidatura më e mundshme për t’u zgjedhur, përveç interesit pati dhe kuriozitet njerëzor, se kush është Arta Marku?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Vij nga një familje e thjeshtë si shumica e familjeve shqiptare me dy prindër të thjeshtë. Babai im ka qenë teknik i mesëm miniere. Ka mbaruar ndër të parët Politeknikumin “7 Nëntori” që është quajtur atëherë, ndërsa mamaja ime ka qenë e papunë për pjesën më të madhe të kohës deri pas viteve 1990, kur si shumica e shqiptarëve filloi me një tregti të vogël e ndihmuar edhe nga vëllai im. Kjo është familja ime e origjinës. Kam edhe një vëlla dhe një motër, më të vegjël se vetja. Familja ime e re përbëhet nga unë, bashkëshorti dhe dy vajzat e mia. Njera është 8 vjeçe e në klasë të dytë dhe tjetra është bebe, 14 muajshe”.

-Sa e vështirë është për një nënë të re të shpërngulet nga qyteti ku keni jetuar për shumë e shumë vite me radhë dhe të vini në mes të një rrëmuje të madhe siç është Tirana. Nuk është vetëm një rrëmujë politike është dhe rrëmujë urbane. Sa të vështirë e keni pasur të ambientoheni me terrenin e ri?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Në fakt, kjo ka qenë vështirësia më e madhe e momentit dhe unë kam vonuar shpërnguljen për 2 muaj, pasi e kisha shumë të vështirë. Tirana është një qytet i zhurmshëm dhe i papastër, krahasuar më Shkodrën. Mbase unë e kam dobësi Shkodrën, por e pata shumë të vështirë, jo vetëm unë por edhe familja ime. Tashmë kemi ardhur dhe shpresojmë që do përshtatemi për aq kohë sa do të jemi”.

-Në fakt ka shumë dilema se përsa kohë ju do të jeni në Tiranë... Megjithatë të flasim pak për origjinën. Është e vërtetë që shumica e shqiptarëve vijnë nga familje të thjeshta pasi kjo ka qenë dhe struktura shoqërore e Shqipërisë, por është përfolur shumë që ju vini nga një familje e persekutuar. Është e vërtetë kjo?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Po. Mamaja ime e ka ndjerë persekutimin në kurriz. Xhaxhai i saj ka qenë i dënuar politik për disa vite dhe pikërisht për shkak të atij persekutimi, mamaja ime ka mbetur pa shkollë, pavarësisht rezultateve që i ka pasur të shkëlqyera. Por, falë Zotit për ne gjërat ndryshuan dhe nuk e ndjemë persekutimin, pasi në ato vite që ndryshuan gjërat, në ato vite ishte koha për të filluar shkollën ne”.

-Pra, është e sigurt që nëse ju do të kishit kërkuar të hynit në shkollë të lartë përpara vitit 1990, me siguri nuk do ta kishit marrë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Me siguri. Po ju them një episod që mbase do t’ju duket qesharak. E kam ndjerë shumë pak persekutimin. Siç ka qenë në atë kohë që kur vinte dikush nga udhëheqja, nxënësi më i mirë caktohej të jepte tufën me lule. Pavarësisht se isha nxënësja më e mirë në atë kohë, nuk u lejova të jap tufën me lule”.

-Ndryshimi i regjimit si ju gjeti?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Isha e vogël. I mbaj mend të gjitha. Por, përjetime të rralla nuk mbaj mend që të kem pasur”.

-Në fakt eksponentë të Partisë Demokratike, jo të linjës zyrtare, por deputetë dhe ish-deputetë, kanë folur më shumë respekt për ju dhe familjen tuaj. Ndër të tjera dhe ish-deputetja Albina Deda, më të cilën thuhet se ju keni një lidhje familjare apo jo?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Kam lidhje të afërt me Albinën. Më saktë me bashkëshortin e Albinës. Ai është djali i xhaxhait i mamasë sime kështu që kemi një lidhje goxha të afërt”.

-Si e përjetuar faktin që u gjendët, ndoshta jo personalisht, e mbrojtur nga trashëgimtarët e asaj partie që dikur kishte persekutuar fisin tuaj?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Nuk e kam parë në këtë prizëm. Nuk e kam parë në këtë aspekt. Nuk jam ndjerë e mbrojtur apo e sulmuar prej askujt dhe isha e sigurtë që asnjë gjë nuk kishte lidhje direkt me mua.

-Pra, nuk kishte asgjë personale me ju?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Jam e bindur për këtë”!

-Po me çfarë kishte lidhje?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Secili ka kauzat e veta që përpiqet t’i mbrojë me çdo kusht. Unë mendoj që ishte diçka përtej personales. Kishte lidhje me politikën”.

-Cili është suksesi më i madh që Arta Marku i atribuon karrierës së saj përpara se të hynte në këtë zyrë tepër të rëndësishme?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Kam mbaruar shkollën e mesme në Fushë-Arrëz dhe menjëherë pas saj kam konkuruar për në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë ku dhe kam fituar. Dhe, pas mbarimit të Fakultetit të Drejtësisë në vitin 1999, kam fituar konkursin në Shkollën e Magjistraturës, për profilin “Prokurore”. Në vitin e tretë të shkollës që është dhe periudha e stazhit profesional, jam caktuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Pra, për të bërë stazhin profesional dhe emërimin e kam marrë në tetor 2002 në Prokurorinë e Shkodrës. Në fakt Shkodra nuk është një Prokurori e lehtë për të punuar, sidomos në ato vite, që ishin afër 1997 dhe 1998”.

-Edhe sot mbetet një Qark i vështirë për të ushtruar këtë detyrë…

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Le të themi që po, por në ato vite kujtoj që ishte e vështirë. Që në fillimet e punës sime kam hetuar dhe kam përfaqësuar në gjykim çështje nga më të ndryshimet dhe më të vështirat, vrasje, rrëmbim personi, trafikim lëndësh plasëse. Në vitin 2009 jam caktuar si drejtuese e Task-Forcës së Shkodrës. Kjo Njësi e Përbashkët Hetimore u krijua bashkë me 5 Njësi të tjera në 5 rrethe të tjera, nën modelin e Njësisë së Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Tiranës. Kam pasur momente shumë të mira gjatë punës sime, edhe përpara së të caktohesha si drejtuese e Task-Forcës dhe mund të them që momente të forta gjatë ushtrimit të profesionit tim ka pasur pas suksesit të çdo dosje”.

-Kur thoni momente të forta, thoni tension, presion, kërcënim…

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Jo. Nuk kam pasur për asnjë moment presione dhe gjëra të kësaj natyre që ju përmendni, pavarësisht se Shkodra ka qenë një Qark mjaft i vështirë. Por, mbase mënyra se si kam punuar, jam munduar me profesionalizëm, me dinjitet, pa u përzier”.

-Ju thoni që ka një mënyrë që të jeni korrekt në punën tuaj dhe t’ju mbajë larg rreziqeve. Si, nëse mund të na e shpjegoni, sepse duhet të jetë diçka e thjeshtë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Është shumë e thjeshtë. Nuk ka formula për këtë. Mjafton të mos përzihesh, të mos ndikohesh nga asgjë. Mbase fillimi është pak i vështirë sa të pozicionohet secili në vendin e tij”.

-Po si mund të ndodhë kjo kur kolegët tuaj, vartës tuaj apo eprorë tuaj potencialisht janë të përzierë qoftë me motivime politike apo me korrupsionin dhe krimin?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë mund të flas për vete. Unë nuk kam ndjerë asnjëherë asnjë ndërhyrje dhe as kërcënime të asnjë lloji gjatë ushtrimit të detyrës sime”.

-Cili është ai moment që do ta ndanit në karrierën tuaj shumëvjeçare, qoftë i bukur apo i keq?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Momentet e bukura të punës sime kanë qenë pas suksesit të çdo çështje që kam pasur. Sa herë është përmbyllur me sukses një çështje, unë jam ndjerë shumë mirë, shumë e motivuar, shumë e plotësuar. Mbase ngaqë e kam me pasion punën e prokurorit”.

-Cili është mendimi juaj për sistemin e drejtësisë, sepse shumica e shqiptarëve mendojnë që është i korruptuar. Një pjesë tjetër thotë që për shkak të korrupsionit ka sjellë përzierje në punët e politikës, apo kompromise me botën e krimit. Keni dhe ju të njëjtin perceptim?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Kam një perceptim timin në lidhje me sistemin e drejtësisë, pasi jam pjesë e tij prej shumë vitesh. Ajo që mund t’ju them është që sistemin e drejtësisë e kam parë të degradojë vit pas viti. Është e dhimbshme ta thuash, por unë kështu e kam ndjerë. Si prokuroria ashtu dhe gjykata nuk po e ushtronin më atë funksionin kushtetues. Prokuroria për ndjekjen penale dhe Gjykata për dhënien e drejtësisë. Edhe opinioni publik në të njëjtën formë e ka parë këtë gjë. Shumica e opinionit e perceptonte sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit, pra gjithë sistemin, si shumë të korruptuar. Mase dhe presioni i opinionit publik ishte ai që shtyu edhe politikën të konkludojë me Reformën në Drejtësi”.

-Ju vetë gjatë përvojës tuaj mbi 15-vjeçare si prokurore, e keni thjesht me perceptim apo dhe me gjëra konkrete që provojnë faktin që ky sistem drejtësie është kaq shumë i kompromentuar sa ne e perceptojmë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë kam qenë pjesë e sistemit. Natyrisht që i kam parë gjërat nga afër, pavarësisht se nuk kam qenë kurrë pjesë e këtyre gjërave. I kam parë nga afër, i kam ndjerë në kurriz”.

-Keni reaguar ndonjëherë për këtë? Jeni përpjekur të ngrini një alarm apo e keni parë që ishte e kotë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Kemi reaguar në mënyrat tona, duke mbrojtur punën tonë. Secili që, e ka parë në të njëjtën formë si unë. Reagime të tjera natyrisht që nuk kemi pasur, pasi sistemi ka qenë tërësisht i centralizuar dhe nuk ishte e lehtë”.

-Pra ju thoni që problemet gjithmonë kanë ardhur nga lart?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Nuk mund ta them që kanë ardhur vetëm nga lart, por ka pasur shumë probleme dhe vazhdon të ketë përsa Reforma në Drejtësi akoma nuk është implementuar. Është në vazhdim”.

-Zonja Marku, paraardhësit tuaj shpesh janë ankuar dhe ka pasur gjithmonë një debat “Kush” heton “kë”. Policia ia hidhte fajin prokurorisë, prokuroria policisë. Ju keni një mendim për këtë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ka pasur momente që policia dhe prokuroria kanë bashkëpunuar në mënyrë perfekte me njëra-tjetrën si institucione, sidomos në fillimet e punës së Task-Forcave. Kemi pasur një bashkëpunim të mrekullueshëm me ta. Kemi bërë çështje nga më të ndryshimet, por mund të them që bashkëpunimi erdhi duke u zbehur me kalimin e kohës”.

- Pse ka një perceptim të fortë mes profesionistëve të fushës suaj që pas vitit 2012, puna e Task-Forcave u dëmtua rëndë? Është ky perceptim i drejtë dhe mund të thoni pse ndodhi kjo?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ndoshta edhe më vonë ndodhi kjo. Një zbehje e punës, një shkrehje e punës mund të themi. Mbase në atë periudhë filloi të flitej që do ketë Reformë në Drejtësi, do të ketë një Prokurori Speciale, Task-Forcat nuk do kenë më të njëjtin funksion siç kishin. Ndoshta kjo ka ndikuar”.

-Kjo ndikoi në mënyrë direkte apo u përdor për të shkrehur punën e Task-Forcës në të gjithë vendin?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Mendoj që ka ndikuar në mënyrë indirekte fillimisht, pastaj edhe në mënyrë direkte pasi ndryshuan shumë drejtues prokurorish. Lëvizën shumë prokurorë nga njëra Task-Forcë në tjetrën, jo sipas rregullave që ishin përcaktuar fillimisht”.

-Po përse ndodhi kjo sipas jush?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Mbase kishte hyrë në atë rrugë që ashtu duhet të ndodhte. Nuk ishte mirë që ndodhi, por gjërat ashtu filluan të funksiononin”.

-Zonja Marku, ju thatë që një nga problemet e zbehjes së punës së prokurorëve, aty ku ju ishit në Shkodër, por besoj që kjo ka reflektuar në të gjithë vendin, ishte fakti që institucioni ishte i centralizuar. Pra, kishte një piramidë vendimmarrje nga lart-poshtë. Ju tani që erdhët në majë të kësaj piramide, mund të na thoni si e gjetët institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, në çfarë gjendjeje?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë nuk mund të flas vetëm për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, por mund t’ju jap një opinion për të gjithë sistemin e Prokurorisë. Nuk mund të them që nuk është punuar. Është punuar dhe ngarkesa ka qenë shumë e madhe e prokurorëve dhe gjej rastin t’i përgëzoj për ngarkesën e madhe, si prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore pavarësisht situatës, pavarësisht momentit që po kalojmë të gjithë në sistemin e drejtësisë. Është punuar, por ka pasur dhe shumë probleme që unë i kam konstatuar gjatë analizave të punës së gjithë secilës prokurori. Problemet kanë qenë të shumta. Ka pasur zvarritje të hetimeve, ka pasur çështje që ishin bllokuar. Nuk mund të them arsyet se pse kishte ndodhur një gjë e tillë, por pavarësisht punës së madhe që ishte bërë, kishte dhe çështje që mund të ishte punuar dhe e gjithë kjo është mbajtur parasysh në këshillat që unë i kam dhënë prokurorëve gjatë analizave vjetore. Jam përpjekur që t’i motivojë dhe t’i shty që të merren jo vetëm me çështjet e reja që kanë në duar, por edhe më çështjet që janë pezulluar për një arsye apo një tjetër. Të bashkëpunojnë fort më Policinë e Shtetit dhe me të gjitha institucionet ligjzbatuese”.

-Cilat janë problemet kryesore që ka Prokuroria sot, pasi pak më herët ju thatë që puna e Task-Forcës u shkatërrua pasi lëvizje të shumta prokuroresh nëpër rrethe. Por, duhet thënë që dhe ju nuk keni bërë pak lëvizje që nga momenti që keni ardhur në këtë zyrë dhe ju keni lëvizur drejtuesit e disa degëve të Prokurorisë më të rëndësishme në vend. Pse?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ju garantoj që lëvizjet kanë qenë të menduara mirë, nuk janë bërë në nxitim e sipër. Kanë qenë të menduara dhe të konsultuara me situatën. Është marrë parasysh edhe perceptimi i opinionit publik në ato prokurori ku janë bërë lëvizjet”.

-Në fakt bëhet fjalë për qarqet që kanë regjistruar dhe ngjarjet më të rënda gjatë vitit të kaluar, si Durrësi e Elbasani. Por, për koencidencë ndoshta, shumica e këtyre drejtuesve që ju keni lëvizur edhe në rrethe edhe në Tiranë, janë perceptuar ose kanë qenë realisht njerëzit më të afërt të paraardhësit tuaj. A ka një lidhje kjo gjë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ju garantoj që nuk ka asnjë lidhje! Lëvizjet kanë qenë të menduara mirë, janë marrë informacione të mjaftueshme për të bërë lëvizje të kësaj natyre dhe nuk janë lëvizje vdekjeprurëse. Nga drejtues në prokuror. Një herë je drejtues, njëherë prokuror. Në fund të fundit të gjithë prokurorë jemi. Të qenit drejtues është i përkohshëm për këdo”.

-Siç për momentin jeni dhe ju…

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Patjetër”!

-Megjithatë do të flasim nëse do të jeni e përkohshme apo jo. Por, zonja Marku, ju jeni në një zyrë të rëndësishme ku ka pasur shumë persona përpara jush. Opinionet kanë qenë të ndara nga njëri personazh te tjetri, por ama i ka bashkuar një gjë, fjala “dështim”. Ky institucion, përfshi edhe këtë zyrë kanë dështuar të kryejnë detyrën e tyre Kushtetuese, të hetojnë korrupsionin, të hetojnë krimin e organizuar, lidhjet e tyre me politikën. Ky institucion ka dështuar të hetojë zyrtarë të mëdhenj, ministra, ish-ministra, kryeministra, ish-kryeministra, presidentë, ish-presidentë. A keni ju një opinion për paraardhësit tuaj?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Natyrisht që kam një opinion, por nuk është në natyrën time, nuk është etike që unë të jap një opinion për ta”.

-Sa herë ndërrohet një trajner, pyetet trajneri i ri se çfarë opinioni ka për trajnerin e mëparshëm. Keni ju një opinion tuajin për ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, kryesisht profesional edhe për shkak të detyrës që ju ka lidhur me të?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Kam natyrisht një opinion, por punën e tij e ka vlerësuar publiku. Është përfolur aq shumë sa nuk e gjej me vend të përsëris asgjë nga to”.

Por, e ndani të njëjtin opinion?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Le të themi që po”.

-Ndaj zotit Llalla ka pasur dhe një situatë të paprecedentë, duke filluar nga viti 2016 kur atij ju revokua viza për një arsye personale deri tek vendimi i Departamentit te Shtetit që ia revokoi vizat, me një vendim të vetë Sekretarit të Shtetit, tashmë ish-Sekretari Rex Tillerson dhe shoqëruar me një motivacion, i cili në një farë mënyre na shokoi të gjithëve, për përfshirjen e tij në afera të rënda korruptive. Ju vetë si u ndjetë kur e dëgjuat këtë lajm?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “T’ju them të drejtën jam ndjerë shumë keq, ashtu siç është ndjerë çdo zyrtar i këtij shteti apo siç duhej të ndihej çdo zyrtar. Është një vendim i rëndë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-paraardhësin tim”.

-Apo për personin që duhet të hetojë aferat korruptive, por ndërkohë akuzohet që është i përfshirë në to. Besoj që nuk duhet të jeni ndjerë mirë, por ama DASH në një reagim për mediat shqiptare, përfshi dhe “Vizion Plus”, tha që ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Prokurorinë nëse ajo do të hapte një hetim në këtë rast. Çfarë po ndodh? A po heton Kryeprokurorja ish-Kryeprokurorin, ose me saktë, Prokuroria ish-drejtuesin e saj për këtë çështje dhe për këto akuza?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Shqipëri është treguar gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, për të përkrahur në hetimin e kujtdo zyrtari që është përfshirë në çështje korrupsioni dhe jo vetëm për rastin konkret. Natyrisht që dhe për rastin konkret janë treguar të gatshëm. Unë gjej rastin t’i falenderoj”.

-“Çfarë po bëni ju?”, ishte pyetja. Ka një veprim konkret, ka një regjistrim çështje konkrete hetimore në këtë rast

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Le të themi që Prokuroria ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Më tepër unë nuk mund të flas rreth kësaj çështje”.

-Por, mund të na thoni diçka më shumë edhe për një gjë tjetër që duket se u bashkon me paraardhësit tuaj. Të gjithë Kryeprokurorët e dekadës së fundit kanë marrë mbështetje totale dhe të fortë e nominale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurisht përmes Ambasadës këtu, por jo vetëm. Dhe dalim tek pyetja, kush loboi? A pati një lobim për Arta Markun që të vendosej në krye të Prokurorisë së Përgjithshme?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Çfarë nënkuptoni me lobim”?

-Mbështetje. Dikush që ndoshta dhe ngacmoi interesin e Arta Markut për t’u futur në një garë të tillë, apo ishte iniciativa juaj?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë kam më shumë se 15 vjet që ushtroj këtë profesion dhe e kam me shumë pasion punën e prokurorit. Kur punon kaq gjatë në një institucion, fillon t’i ngarkosh vetes përgjegjësi përtej asaj që je për momentin. Fillon të mendosh si mund të përmirësohet institucioni, si mund të përmirësohet puna, si mund të shtyhet në drejtim të ligjshmërisë puna e institucionit. Kjo ka qenë ajo që më ka ngacmuar fillimisht kur mora vesh që do të kishte një garë për Prokuror të Përgjithshëm. Ju garantoj që nuk është çështje egoje apo ambicieje për të ecur përpara në karrierën time. Kam menduar që i plotësoj kriteret, kam menduar që nëse zgjidhem do të bëj diçka më mirë për institucionin dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që unë kam marrë pjesë në këtë garë”.

-Megjithatë duhet thënë që më 18 dhjetor ju u zgjodhët me 69 vota të një krahu dhe krahu tjetër protestoi apo reagoi ashpër ndaj zgjedhjes tuaj ditën e 18 dhjetorit. A mund të na thoni si e përjetuat atë ditë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “T’ju them të drejtën nuk kam dëshirë të kujtoj atë moment. Tashmë ka kaluar dhe sa herë që e kujtoj ndihem jo mirë. Unë e prisja një reagim nga pala tjetër, pasi ishte bërë publik qëndrimi i tyre. Por, e mendoja një reagim më institucional, më civil. Nuk dua t’i kthehem”.

-Pyetja është e pashmangshme. Sa ndikon mënyra se si ju u zgjodhët në punën tuaj?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Nuk do ketë asnjë ndikim në punën time. I kam idetë e qarta në këtë drejtim. Do të vazhdoj të punoj ashtu siç kam punuar deri tani, për vite me radhë në profesionin tim, e pandikuar nga askush nga asnjë rrethanë, në respektim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve”.

-Sa e vështirë është për një grua ta bëjë punën e vet si duhet në këtë zyrë? Precedentët nuk janë shumë entuziastë.

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Natyrisht që është e vështirë për një femër që të bëjë një punë të tillë për shkak të angazhimeve që ka një femër, sidomos kur është nënë. Të qenit nënë e bënë të vështirë, por nga ana tjetër çdo femër është më e plotësuar kur ka familje, ka fëmijë. Kështu që, unë ndihem shumë e motivuar për ta bërë punën time, pavarësisht nga vështirësitë”.

-Ndiheni vulnerabël për shkak se jeni nënë, për shkak se keni fëmijë, në një detyrë që potencialisht mund t’ju vërë përpara dilemave të forta dhe rreziqeve të mëdha, pasi përballja me korrupsionin apo krimin e organizuar, apo dhe lidhjeve të tyre me politikën, mund ta bëjnë ambientit dhe rrethanat ku ju punoni, pothuajse të pamundura?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Nuk e kam një përjetim të tillë. Nuk kam probleme të kësaj natyre. Nuk ndihem keq. Mendoj se jam e zonja të përballoj çdo situatë që mund të më dalë”.

-Pala tjetër jo thjesht nuk ju votoi, por ka shprehur dhe dilema të forta kushtetuese për mënyrën se si u zgjodhët në krye të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, në mënyrë të përkohshme për momentin. Një nga akuzat, jo ndaj Jush, por ndaj mënyrës se si ju u zgjodhët, ishte se erdhët në krye të këtij institucioni pa kaluar “Vetting”-un.

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Askush nuk e ka kryer, por unë jam në proces si disa të tjerë. Jam futur në këtë proces pasi kam kandiduar për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si disa kolegë dhe në momentin që jam zgjedhur Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme kam hequr dorë nga kandidimi për në KLP, por duke njoftuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që unë dua të vazhdoj procesin e rivlerësimit”.

-Pra ky proces vazhdon?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Po patjetër. Madje unë nuk kam asgjë kundër “Vetting”-ut. Jam nga ata persona që e kam përkrahur që në fillim këtë proces. Besoj shumë në të”.

-Besoni që shumë nga kolegët tuaj në Prokurori do t’i mbijetojnë këtij procesi?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Mendoj dhe besoj që ata që nuk meritojnë të jenë pjesë e sistemit, nuk do të jenë më pjesë e sistemit”.

-Paraardhësit tuaj kanë ardhur në këtë post si figura të mbështetura edhe pse në disa raste edhe jo publikisht nga të gjitha forcat politike, ndërsa ju vini si një figurë ndarëse. Vetëm pak ditë më parë Kryetari i opozitës foli sërish për iniciativa ligjore, sipas tij, për të futur në këtë zyrë një person në mënyrë të rregullt, ligjore dhe kushtetuese. Çka tregon që pala tjetër, nuk ka dashur që ju të vini në këtë zyrë. A ndiheni e kompleksuar në kryerjen e detyrës tuaj? Kjo bashkangjitur dhe me një perceptim të caktuar se së paku në vitin 2018, numri më i madhi i personave që janë nën hetim janë ish-funksionar që i përkasin partive që sot janë në opozitë.

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ta marrim me radhë. A ndihem unë e kompleksuar në punën time? Jo, nuk kam asnjë kompleks. Procedura, mënyra se si jam zgjedhur nuk e kam bërë unë. Është Kushtetuta që parashikon, është ligji organik që e parashikon një gjë të tillë dhe nuk mund të jap një opinion për këtë. Unë kam marrë pjesë në një garë, jam zgjedhur dhe ja ku jam sot. Ajo që mund të them unë dhe që garantoj opinionin publik është që në punën time nuk kam asnjë lloj ndikimi nga askush dhe nuk do të lejoj asnjë lloj ndikimi”.

-Duket se keni ndikim, por kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar, BE dhe veçanërisht SHBA. Paraardhësi Juaj u fut në një lloj konflikti, i cili u interpretua dhe si konflikt sovraniteti, pra që nuk lejoi që SHBA të ndërhynë në çështje të brendshme të Shqipërisë. Pra ju garantoni që do jetë vetëm Kushtetuta dhe ligji apo dhe amerikanët?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë e garantoj këtë. Vetëm Kushtetuta dhe ligjet e dala në zbatim të saj do të jenë busulla ime në këtë detyrë siç ka qenë gjithmonë”.

-Pse është krijuar perceptimi se Prokuroria e Përgjithshme nën drejtimin tuaj po heton zyrtarë, ose vetëm të LSI-së ose të PD-së dhe nuk ka hetim të forta dhe për zyrtarë të partisë në pushtet?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Siç edhe ju e thatë, është thjesht perceptim i krijuar nga ata që  janë nën hetim, nga ata që janë dëmtuar nga çështjet në fjalë. Dua t’ju them që të gjitha çështjet e deritanishme, ose pothuajse të gjitha, janë çështje të vjetra. Dosje që kanë qenë prej vitesh në hetim dhe për një arsye ose tjetër i kam gjetur aty. Nuk kam bërë asgjë më tepër vetëm se nuk kam penguar prokurorët të ushtrojnë funksionin e tyre dhe të jenë të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre”.

-Po thoni diçka shumë të rëndësishme dhe të rëndë. Kjo do të thotë që më përpara janë penguar ta bëjnë punën e tyre përsa i përket këtyre dosjeve të ndjeshme?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Nuk thashë këtë. Thashë gjendjen, në të cilën gjeta çështje të caktuara”.

-Sa ka ndikuar fakti që tashmë prokuroria nuk është më një organ i centralizuar? Kryeprokurori nuk arrin dot të mbyllë asnjë dosje apo as të hapë një të re.

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Me ndryshimet e reja ligjore, ka ndryshuar komplet mënyra se si funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Ndryshimet më të shumta kanë qenë në sistemin e Prokurorisë, e cila nga një sistem i centralizuar tashmë është në decentralizim të plotë dhe prokurorët e çështjeve janë zotër të çështjeve të tyre si dhe Prokurori i Përgjithshëm nuk ka dhe nuk mund të ketë ndikim në mënyrën se si hetohen ato. Prokurori i Përgjithshëm dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme përfaqësojnë çështjet në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, por Kryeprokurori ka të drejtë që të ndikojë në politikat e përgjithshme të mënyrës se si funksionon sistemi i prokurorisë. Mundet që, të mbështesë Prokurorët dhe t’i shty që të ecin përpara dhe të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet në mënyrë të pavarur ashtu siç dhe parashikon Kushtetuta dhe ligji”.

-Kanë qenë edhe këto arsyet pse ju bëtë ndryshimet në disa krerë të prokurorive nëpër rrethe?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Po, një nga arsyet ka qenë dhe kjo. Dhe, sikur të mos ketë pasur arsye tjetër, mendoj që kjo është e mjaftueshme”.

-Ju thatë që nuk keni asnjë paragjykim për dosjet. Ju keni shprehur mbështetjen për hetimin e dosjes “Habilaj-Tahiri” dhe në takimet me krerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Megjithatë janë shtuar dilemat në opinionin publik pas ekstradimit të Nazer Seitaj, i përfolur si financier i bandës së “Habilajve”. Ju vetë njoftuat hapjen e një hetimi të brendshëm për mënyrën se si u ekstradua Nazer Seitaj dhe cili ishte roli i Prokurorisë në këtë çështje. A keni arritur në një përfundim nëse ka ekzistuar një qëllim me paramendim për ta shmangur Nazer Seitajn nga hetimi në Shqipëri duke çuar atë në Itali?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Që nga dita e parë që kam ardhur në këtë funksion çështja “Tahiri” është një nga shqetësimet e mia permanente dhe jo vetëm për mua si Kryeprokurore, por edhe për Prokurorinë për Krime të Rënda. Kam pasur kontakte të shumta më drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda. i cili është dhe pjesë e grupit hetimor të kësaj çështje dhe i kam garantuar të gjithë prokurorët që merren me këtë çështje për mbështetjen e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm me qëllim që kjo çështje të hetohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të mbyllet ligjërisht në mënyrën e duhur”.

-Pra ju thoni që ky grup hetimor gëzon mbështetjen tuaj si drejtuese e institucionit?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Patjetër”!

-Por unë ju ngacmova në çështjen “Seitaj”. Cili ka qenë roli i Prokurorisë? A duhet të ishte ekstraduar Nazer Seitaj apo duhet të qëndronte këtu dhe të hetohej nga grupi hetimor i Krimeve të Rënda?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Në lidhje me këtë pyetje do të doja të sqaroja opinionin publik (lidhur me ekstradimin e Nezar Seitajt) pasi është përfolur shumë një rast i tillë. Më lejoni t’i referohem datave”

-Patjetër, pasi bëhet fjalë për një çështje që është sensitive për shkak se përfshin një ish-eksponentë të qeverisë aktuale dhe besoj që nëse do ketë një rast ku Ju do të jeni në fokus dhe nën vëzhgim të opinionit publik dhe jeni e rrezikuar gjatë gjithë kohës; që të jeni e paragjykuar, është pikërisht kjo dosje, për sa kohë të jeni në këtë zyrë. Një nga akuzat kryesore të opozitës është që paraardhësi juaj apo drejtuesit e mëparshëm të Prokurorisë, ikën, u ndryshuan pikërisht për të bllokuar hetimet për këtë çështje.

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Kërkesa për ekstradimin e Nazer Seitajt është bërë përpara se unë të isha në këtë pozicion ku jam aktualisht dhe konkretisht që në tetor të vitit 2017. Më datë 20 tetor është bërë arrestimi i këtij shtetasi për llogari të prokurorisë së Katanias. Pra, kishte një urdhër kërkimi ndërkombëtar për të dhe në 20 tetor 2017 është bërë ekzekutimi i atij urdhri. Dhe menjëherë pas ekzekutimit të urdhrit për ndalimin e tij prokuroria e Katanias nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka përcjellë dhe kërkesën për ekstradimin e këtij shtetasi. Materialet janë përcjellë nëpërmjet Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ka filluar shqyrtimi gjyqësor për lejimin e ekstradimit nga Gjykata e Rrethit Tiranë më datë 5 dhjetor 2017, pra datë në të cilën unë nuk isha në këtë funksion. Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin e datës 18 dhjetor 2017 ka vendosur lejimin e ekstradimit të shtetasit Nazer Seitaj”.

-Ky ishte në ditën që ju zgjidheshit prokurore?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Në ditën që unë u zgjodha”.

-Mendoni që është rastësi kjo, pra në momentin që i gjithë fokusi ka qenë tek ju dhe gjykata merr një vendim të tillë? Mendoni që kjo mund të jetë rastësi?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Mendoj që është rastësi, nuk mund të them që s’është rastësi. Procesi kishte filluar dhe datat ishin caktuar më përpara, askush nuk ta paramendonte një gjë të tillë dhe nuk ka lidhje. Ky vendim për shkak të mosankimimit nga asnjë prej palëve (pasi palët kanë qenë dakord në gjykim), ka marrë formë të prerë dhe është bërë i ekzekutueshëm. Pastaj sipas procedurës që zbatohet në çdo rast e jo vetëm në këtë rast materialet janë përcjellë nga prokuroria e Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme, në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, është bërë kalimi i tyre pranë Ministrisë së Drejtësisë”.

-Pra le të themi nuk ka asnjë gjë jo të zakonshme apo të paprecedentë në këtë rast? Pasi shikojmë që këtu ka pasur kërkesa për ekstradim për njerëz që kanë qenë me akuza shumë më të rënda dhe këto ekstradime nuk kanë ndodhur. Dhe, befas në rastin e kësaj dosje kaq sensitive shikojmë që një nga personazhet në hetim befas, me procedurë kuptohet, ju e shpjeguat procedurën, befas largohet nga Shqipëria?! Prandaj ngulmoj dhe ju pyes, a ka pasur ndonjë vendimmarrje me qëllim të caktuar apo gjithçka ka qenë konform procedurave rutinë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë procedurën e shpjegova dhe ju referova datave për të sqaruar opinionin publik që nuk kam lidhje me vendimmarrje të tilla. Pastaj nëse kjo procedurë ishte e rregullt, nëse duhej bërë ekstradimi, nëse nuk duhej bërë, për këtë preferoj të mos jap një përgjigje sot, pasi me kërkesën tonë në prokurorinë e Rrethit Durrës ka filluar një hetim, i cili vazhdon. Ka filluar edhe një hetim disiplinor në Prokurorinë e Përgjithshme për të gjithë prokurorët që kanë pasur të bëjnë me këtë material dhe ky vazhdon. Pra, nuk ka ndonjë konkluzion deri në këto momente. Dhe, në momentin që do të kemi konkluzione për secilin prej rasteve këto do të bëhen publike”.

-Zonja Marku, a mund të na thoni diçka më shumë përsa i përket hetimeve të kësaj dosje shumë sensitive që, le të themi turbullon ujërat në debatin publik prej tetorit të vitit 2017, për dosjen hetimore “Habilaj-Tahiri”?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Çështja është në hetim. Hetimi është shumë dimensional, përfshin përveç Shqipërisë dhe shtete të tjera fqinjë”.

-Greqinë, Italinë...

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Greqinë, Italinë. Pikërisht për këtë arsye ka qenë e domosdoshme që Prokuroria për Krimet e Rënda t’i drejtohet me letër-porosi qoftë autoriteteve italiane, qoftë atyre greke dhe presim përgjigjet e letër-porosive për të përmbyllur hetimet”.

- Zonja Marku, dosja “Tahiri-Habilaj” është një dosje, natyrisht që ju e radhisni tek dosjet e vjetra. Megjithatë, vitin e kaluar ka pasur dhe ngjarje të tjera të rënda edhe që lidhen, siç është dosja “Sota”, e cila le të themi është fashikull tjetër i së njëjtës dosje, dosjes “Habilaj-Tahiri”. Ngjarje të rënda që janë regjistruar në Elbasan, në Vlorë, në Durrës, por edhe në Tiranë. Realisht çfarë zhvillimesh ka për hetimet e këtyre dosjeve të mëdha, të cilat duket se fjetën në tryezën e paraardhësit tuaj?   
-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ju garantoj që prokuroria po bën punën e saj. Çështjet janë në hetim. Po hetohet me seriozitet në secilën prej tyre. Ka dosje të vjetra dhe dosje të reja në tavolinat e prokurorëve, por nuk preferoj të flas, preferoj të veproj”.

-Te dosjet e reja, pra me kutin tuaj matës, dosje të reja janë ato pas 18 dhjetorit; në këto dosje të reja përfshihet edhe çështja e fundit e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike, ku sipas indicieve të para mund ose të paktën dyshohet se mund të jeta shtrirë edhe influenca ruse në Shqipëri.

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Po ajo është një nga dosjet e reja që është në hetim, natyrisht”.

-A pritet që prokuroria të hetojë realisht, gjerësisht mbi paqartësitë financiare, me të cilat operojnë partitë politike në vend, pasi sigurisht kjo do të hapte një hetim shumë të fortë dhe ju kujtoj që një hetim i tillë i ngjashëm solli dhe rrëzimin e republikës italiane në fillim të viteve ‘90. Pra, do të ngelet vetëm aty apo do të shtrihet në përgjithësi për të hetuar në përgjithësi të gjithë financimin e partive politike shqiptare?  

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Mund t’ju garantoj që prokuroria po bën punën e saj me profesionalizëm”.

-Pra, për momentin jemi në hapat e para apo ka një zhvillim konkret?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Është një çështje e re, është në hapat e para të hetimit dhe nuk është ligjore të flasim për këtë”.

-Ju pasi keni mbyllur turin e takimeve me krerët e prokurorëve, në njëfarë mënyre keni raport vlerësimin për punën e tyre dhe punën e institucionit; pritet që ju të dilni përpara parlamentit apo jo në fillim të muajit prill për raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm. Çfarë do t’i thoni politikëbërësve shqiptarë dhe çfarë do t’u kërkoni atyre?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Është paraqitja e raportit të punës për vitin 2017. Prezantoj punën e paraardhësit tim”.

-Pra në njëfarë mënyre do t’i jepni notën paraardhësit tuaj, kryesisht, apo jo?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë do të prezantoj punën, notën do ta marrë nga opinioni publik. Mund ta ketë marrë nga opinioni publik. Do ta marrë edhe nga personat që u takon ta bëjnë këtë”.

-Zonja Marku, a ka hetime të reja përsa i përket dosjeve sensitive që lidhen qoftë me krimin e organizuar dhe qoftë me korrupsionin në nivele të larta në vend?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ka dosje të reja, për të cilat po punohet. Ju garantoj që pastrimi nga të korruptuarit nuk njeh radhë edhe rangje dhe opinioni publik do të vihet në dijeni në momentin e duhur”.

-Zonja Marku, ju nënshkruat një marrëveshje me ministrinë e Brendshme. Kjo marrëveshje u anatemua nga opozita dhe u përdor si një argument për të treguar, sipas saj, komprometimin e punës së prokurorisë nën drejtimin tuaj dhe në njëfarë mënyre qenien e njëanshme në punën tuaj në favor të qeverisë. Nga ana tjetër duket se, të paktën nga amerikanët kjo është parë si një lëvizje në kuadrin e mosngritjes akoma të SPAK-ut, apo jo? Dhe, të ngritjes së asaj që gjerësisht në opinion po përflitet si ngritja e një SPAK-u të përkohshëm. Ka diçka të vërtetë në këtë? 

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Marrëveshja që kemi nënshkruar më ministrin e Brendshëm, është një marrëveshje bashkëpunimi e thjeshtë, sepse ne bashkëpunojmë përditë. Është bashkëpunuar gjithmonë mes policisë dhe prokurorisë, pasi puna e këtyre dy institucioneve është e pandashme nga njëra-tjetra, nuk ka kuptim njëra pa tjetrën, nuk ecën puna e njërës pa tjetrën. Kështu që është një marrëveshje e zakonshme dhe nuk është e para që ndodh mes këtyre dy institucioneve. Madje, në rastin e krijimit të Task-Forcave, pjesë e të cilave kam qenë, ka pasur një marrëveshje jo vetëm mes Prokurorit të Përgjithshëm e ministrit të Brendshëm, por me shumë institucione të tjera që kishin përfaqësues në Task-Forcat që u krijuan në atë kohë. Kështu që është një marrëveshje që e ngre bashkëpunimin në një nivel më të lartë dhe i shërben punës”.

-A është ndjerë kjo edhe në operacione si “Forca e Ligjit”, për shembull, është ndjerë rezultati i këtij bashkëpunimi?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Kjo marrëveshje pikërisht në kuadër të këtij operacioni, të krijimit të Task-Forcave është bërë. Dhe menjëherë pas marrëveshjes në angazhim të detyrimeve tona në atë marrëveshje, ne kemi nxjerrë një udhëzim duke parashikuar në këtë udhëzim detaje për krijimin e disa Task-Forcave në prokurorinë e Tiranës, në prokurorinë për Krimet e Rënda dhe në disa prokurori rrethesh. Prokurorët më të mirë do të jenë pjesë e këtyre Task-Forcave, do të marrin pjesë në këtë Task-Forcën e quajtur “Forca e Ligjit” për t’i dhënë një rëndësi më të madhe luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave”.

-Zonja Marku, 10 vjet më parë, si sot në 15 marsin e vitit 2008, në një zonë nevralgjike jashtë Tiranës, midis rrugës nacionale dhe aeroportit të vetëm ndërkombëtar, ndodhi një tragjedi, tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën në total 28 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Një proces gjyqësor, i cili u paragjykua shumë për mënyrën se si u zhvillua hetimi, për njerëzit që u thirrën në hetim dhe njerëzit që nuk u thirrën në hetim. Megjithëse një nga paraardhëset tuaja, zonja Ina Rama pati deklaruar në një intervistë me mua që për shembull do të thërriste edhe djalin e Kryeministrit. Ajo donte, por një gjë e tillë nuk ndodhi. A do të rihapen hetimet për dosje të tilla, po e filloj nga Gërdeci?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Ka një numër dosjesh si kjo e Gërdecit, të cilat kanë dominuar opinionin publik që nga fillimi, që nga hapja e këtyre dosjeve. Dhe ky dominim ka pasur një amplitudë të ndryshueshme në varësi të zhvillimeve politiko-shoqërore që kanë ndodhur në vend. Shumë persona kanë dhënë opinione, gjykime, mendime në lidhje me ecurinë e këtyre dosjeve. Unë natyrisht që nuk mund të jap një mendim, një zgjidhje në këtë moment pasi në demokraci gjithçka ndodh, por drejtësia pëpara se të jetë veprim është procedurë. Pavarësisht vullnetit individual apo institucional, nëse ky nuk përkthehet në procedurë atëherë është i destinuar të dështojë. Këto çështje natyrisht që po shqyrtohen nëse ka mjete juridike të paezauruara, mjete të zakonshme ose jashtëzakonshme dhe a ka mundësi prokuroria që t’i përdorë këto mjete që mund të jenë të paezauruara në drejtim të rihapjes së këtyre dosjeve. Megjithatë kjo çështje po shqyrtohet nga ana jonë, nga ana teknike-juridike”.

-Për shembull një çështje tjetër, për të cilën diskutohet shumë dhe unë i kam kushtuar shpeshherë emisione, pasi është shumë sensitive, ngjarjet e 21 Janarit. Shpesh flitet, t’i rikthehemi procedurave, për mënyrën se si është zhvilluar procesi i 21 Janarit, se deri diku procedurat nuk ta lejojnë një rihapje të tij. Por kjo, jo kur ka indice të reja. Për shembull rasti i Aleks Nikës natyrisht kjo është një çështje që nuk është ezauruar nga pikëpamja procedurale, pasi për vrasjen e Aleks Nikës sot nuk kemi një emër, e para. E dyta, kemi deklarime të reja, për shembull, pak ditë më parë ish-Kryeministri i vendit ishte në emision me mua dhe bëri deklarata të forta publike dhe prokuroria edhe kryesisht nisur nga këto ngacmime mediatike, mendojnë shumë vetë, se duhet të rihapë hetimet. Për 21 Janarin po flasim në këtë rast.

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë nuk mund të them asgjë më tepër se ajo që thashë pak më parë në lidhje me këtë. Pra, pavarësisht vullnetit individual dhe institucional që nuk mungon, ne po përpiqemi të gjejmë nëse ka mjete juridike të zakonshme apo të jashtëzakonshme të paezauruara. Dhe, nëse do të ketë një hapësirë që këto mjete mund të përdoren atëherë vullneti është që të përdoren”.

-Për shembull, ju ishit në Turqi pak ditë më parë dhe në fakt shumë media dhe portale e lidhën këtë vizitë tuajën në Turqi me ekstradimin e pritshëm të shpejtë të Izet Haxhisë, një nga të dënuarit e gjyqit të vrasjes së të ndjerit, deputetit Azem Hajdari. Ndoshta ishte lidhje ose rastësore ose e pasaktë, por kjo tregon zonja Marku, pritshmërinë që kanë njerëzit për të kuptuar nëse prokuroria apo organet e drejtësisë do t’i shkojnë deri në fund të vërtetës. Do të ndodhë kjo edhe në rastin e Haxhisë, pasi unë nuk besoj se keni shkuar për këtë arsye në Turqi, apo jo?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Nuk kam shkuar për këtë arsye, është një diçka e pasaktë e paraqitur në media dhe portale. Unë kam shkuar me ftesë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Kasacionit turk, me rastin e 150 vjetorit të krijimit të asaj gjykate dhe kam qenë bashkë me drejtuesin e Gjykatës së Larte dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë 3 delegacione për të njëjtin motiv”.

-Zonja Marku, ju folët pak më herët për pamundësinë procedurale për të hapur dosje të caktuara, pavarësisht vullnetit që ju thoni që e keni për ta bërë këtë, po flasim për dosjet e vjetra. Realisht a ka një pritshmëri më të madhe se sa keni ju mundësi si institucion, për të zbardhur dosje të vjetra hetimore, pra sa realisht janë mundësitë tuaja si institucion për ta bërë këtë gjë për të cilën presin të gjithë? Pra a ka një mospërputhje midis pritshmërive dhe mundësive tuaja si institucion për të kapur peshqit e mëdhenj të vjetër apo të rinj?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Pritshmëria është e madhe, është e kuptueshme, është e dallueshme. Natyrisht që është më e madhe se ajo që mund të bëjë prokurori i përgjithshëm me kompetencat që ka. Siç e thashë dhe pak më përpara, sistemi i prokurorisë ka ndryshuar, nga sistem i centralizuar në sistem i decentralizuar dhe prokurorët e çështjeve janë zotër të këtyre çështjeve. Prokurori i Përgjithshëm mund të ndërhyjë vetëm në mënyrën e përgjithshme të funksionimit të institucionit, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështje konkrete, nuk ka të drejtë të fillojë hetime, nuk ka të drejtë të kontrollojë hetime. Por luan rolin e tij në drejtim të motivimit të prokurorëve, në drejtim të rregullimit të mënyrës se si funksionon institucioni në përgjithësi”.

-Zonja Marku, ju do të paraqisni raportin vjetor në parlament. Në kuadër të këtij përmirësimi edhe të imazhit të prokurorisë dhe të rezultateve të saj, a do të ketë propozime nga ana juaj për formim strukturash të reja dhe prishje të të vjetrave, brenda Prokurorisë së Përgjithshme?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Nuk mund të them diçka rrethe kësaj. Ne jemi duke e përgatitur raportin. Ende nuk kemi përfunduar, nuk kemi konkluduar”.

-Zonja Marku, ambasadori amerikan rriti pritshmëritë tona kur tha se këtë vit do të kapen peshqit e mëdhenj. Natyrisht në kapjen e peshqve të mëdhenj, rrjetën e para e hedh prokuroria. Ju e mbështesni këtë pritshmëri të ambasadorit amerikan dhe tonën në përgjithësi? A do jetë ky viti i kapjes së peshqve të mëdhenj?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë mund t’ju them që hetimi nuk është fushatë. Prokuroria punon çdo ditë me dosjet e mëdha, me dosjet e vogla, me këdo që i është cenuar interesi, këdo qytetar që është cenuar nga një vepër penale. Nëse do të ketë peshq të mëdhenj kjo do të shihet në vazhdim të punës tonë. Nuk më pëlqen të flas. Më pëlqen të veproj dhe kur veproj do të flitet më pas”.

-Zonja Marku, natyrisht ju dukeni që nuk e bazoni punën te fjalët se sa tek veprat. Ju jeni në këtë zyrë me një mandat të përkohshëm dhe sigurisht që në momentin që do të zyrtarizohen institucionet e reja të drejtësisë dhe ata që do të zgjedhin një prokuror të ri me mandat kushtetues sigurisht që këtu mandati juaj i përkohshëm do të mbarojë. Por, a mendon Arta Marku një kandidim të mundshëm në garën e re kur të plotësohen afatet, ndoshta pas disa muajsh për zgjedhjen e prokurorit të ri të Republikës?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë mendoj që të bëj detyrën time në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin. Mendoj që çdo veprim që marr për nga efektet të jetë afatgjatë, pavarësisht personit që do të jetë i ulur në karriken ku unë jam sot”.

-Pra as e përjashtoni një gjë të tillë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Merreni si të doni”.

-Zonja Marku, për çfarë do të doni të mbaheshit mend, e zëmë që do të qëndronit për pak muaj, për periudhën tuaj në këtë zyrë?

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Unë do të doja dhe besoj që do të mbahem mend për seriozitetin në ushtrimin e detyrës dhe për integritetin tim qoftë moral, qoftë profesional”.

- Arta Marku, të falenderoj shumë që ishit me ne sot dhe shumë urime dhe suksese në punën tuaj

-Kryeprokurorja Arta Marku: “Faleminderit edhe ju”!
*Më poshtë janë lidhjet e të tri pjesëve të intervistës

 

https://www.youtube.com/watch?v=ac-rO-Ol2UA

https://www.youtube.com/watch?v=nUnQaYhaDAk

https://www.youtube.com/watch?v=Bxx7Yf1-_ic

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.