Bashkëpunimi gjyqësor me autoritetet e huaja


Marrëdhëniet juridiksionale ndërmjet Institucionit të Prokurorisë Shqiptare dhe agjensive ligjzbatuese ndërkombëtare në fushën penale janë zgjeruar ndjeshëm, veçanërisht vitet e fundit. Kjo tendencë rritjeje duhet parë në koneksion me faktin se, veprimtaria kriminale në përgjithësi dhe krimi i organizuar në veçanti, ka kaluar kufijtë nacionalë, duke u bërë gjithnjë e më shumë problem rajonal e global.

Kriminaliteti në të gjitha format e tij ka ndryshuar thellësisht kohët e fundit. Krahas atij që mund ta quajmë “tradicional”, sepse është vendosur në një territor të caktuar (me degëzime dhe kontakte me organizata të tjera), ekziston dhe kriminaliteti që sot quhet “transnacional”, i cili formohet nga grupe personash që u përkasin vendeve të ndryshme, të bashkuar jo më nga prejardhja e përbashkët, por vetëm nga interesi i përbashkët dhe që veprojnë njëkohësisht në më shumë se një vend.

Ndikimi që kriminaliteti në përgjithësi dhe veçanërisht krimi i organizuar ka në rajonin e Ballkanit kërkon përpjekje gjithnjë e më të mëdha në luftën kundër këtij fenomeni. Në këtë kuadër, institucioni ynë merr pjesë në mënyrë aktive në nismat e ndërmarra nga komuniteti ndërkombëtar kundër krimit, me qëllim përballjen e përvojave të ndryshme hetimore dhe gjyqësore për të gjetur e përcaktuar teknika të përbashkëta të luftës kundër krimit të organizuar transnacional.

Në kuadrin e marrëdhënieve juridiksionale me autoritet e huaja, i parë në këndvështrim cilësor, bashkëpunimi në çështjet penale ka patur një rritje të ndjeshme nga viti në vit, më në veçanti, sa i takon kërkesave për ndihmë juridike nga/për autoritetet e huaja, ekstradimeve të subjekteve në ndjekje penale ose të dënuar penalisht, njohjes së vendimeve gjyqësore penale, transferimit të të dënuarve etj.

Në kuadrin e zgjerimit të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, një rëndësi të madhe ka patur edhe dinamizmi i legjislacionit ndërkombëtar penal, ku mund të veçojmë ratifikimin e mjaft marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare penale, të cilat kanë qenë premisa për nënshkrimin e disa marrëveshjeve dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, por jo vetëm.

Bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar nuk mund të trajtohet i shkëputur nga asistenca e vazhdueshme e cilësore e SHBA dhe Këshillit të Europës, për Institucionin e Prokurorisë Shqiptare, nëpërmjet projekteve të ndryshme në kuadrin e ndihmës profesionale si dhe trajnimin sistematik të Prokurorëve dhe Oficerëve të Policisë Gjyqsore. Ky bashkëpunim i ka dhënë një qasje të re cilësore punës së autoritetit të Prokurorisë në drejtim të rritjes së performancës profesionale.

Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme përbën hallkën institucionale lidhëse dhe njëherazi njësinë e specializuar për bashkëpunimin ndërkombëtar, duke ofruar ndihmë specifike në harmonizimin e hallkave ligjzbatuese kombëtare, ndërkufitare e ndërkombëtare, në luftën kundër veprimtarisë kriminale në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Duke e parë në këtë këndvështrim karakterin operacional të kësaj Drejtorie, pjesë integrale e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, kjo njësi merr një rëndësi të veçantë në kuadrin e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar në përgjithësi dhe realizimit të objektivave rajonale e globale në luftë kundër aktivitetit kriminal.

Bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar, përfshin gjithashtu edhe pjesëmarrjen e Institucionit të Prokurorisë Shqiptare, në rrjete e organizma të ndryshëm ndërkombëtarë penale, në të cilat si pikë kontakti për bashkërendimin e veprimeve konkrete është caktuar:

E-mail: foreign.department@pp.gov.al

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa Nr1. Tiranë
Kodi Postar 1000
Tel: 042282000
 
 
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.