Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtesisë
Tiranë, 05 shkurt 2021 Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani formalizuan sot përmes nënshkrimit të një memorandumi, bashkëpunimin ndërinstitucional në drejtim të inspektimeve tematike e shkeljeve individuale të magjistratëve prokurorë.
Çela dhe Metani u shprehën se procedimi disiplinor duhet t’i shërbejë llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve prokurorë, në një ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë, respektimit të të drejtave të individëve, parimit të ligjshmërisë, gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, si dhe atij të ndarjes së pushteteve.
Prokurori i Përgjithshëm dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë e vunë theksin tek vendosmëria për respektimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve gjatë proceseve respektive të punës së dy institucioneve.