Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka firmosur Urdhërin për krijimin e strukturës së posaçme për verifikimin e integritetit të zyrtarëve publikë, në zbatim të ligjit të njohur ndryshe edhe si ligji ”Për dekriminalizimin...”.

Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Kreu VII i Vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr.17 datë 04.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015...”, përcakton organin e Prokurorisë si institucioni përgjegjës për verifikimin e integritetit të zyrtarëve në të gjithë administratën publike.

Bazuar në aktet ligjore të mësipërme, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron krijimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, i cili do të përbëhet nga 2 prokurorë, 3 oficerë të Policisë Gjyqësore dhe një specialist i Teknologjisë së Informacionit.

Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron edhe;
- Krijimin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave për verifikim dhe krijimin e regjistrit për regjistrimin e formularëve të vetëdeklarimit; si edhe,  
- Krijimin e një sistemi elektronik për regjistrimin, ruajtjen dhe dokumentimin e kërkesave për verifikim, të dhënave, akteve apo fakteve të administruara, rezultatet e verifikimit dhe  të dhënave të grumbulluara.

Në Urdhërin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohen edhe detyrimet e punonjësve që do të jenë pjesë e Sektorit të Verifikimit. Sipas këtij akti, të dhënat dhe informacionet e grumbulluara në këtë proces trajtohen në përputhje me ligjin nr.138/2015, me Vendimin e Kuvendit nr. 17 datë 04.03.2016, si edhe me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Po ashtu, çdo person që hyn, transmeton, përdor ose përpunon të dhënat e sistemit elektronik në kundërshtim me rregullat teknike dhe legjislacionin në fuqi, ngarkohet sipas rastit me përgjegjësi administrative ose penale.

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa Nr1. Tiranë
Kodi Postar 1000
Tel: 042282000
 
 
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.