Vizioni
Synim kryesor i organit të akuzës nën drejtimin tim është thellimi i luftës kundër krimit në Shqipëri në funksion të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Në fokus të veçantë Prokuroria ka luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sukseset në këtë drejtim janë treguesit që do të masin punën e organit të akuzës. Megjithatë lufta kundër krimit mbetet sfidë jo vetëm e organit të akuzës dhe e imja, por e gjithë shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Puna e organit të akuzës do të bazohet rreptësisht në profesionalizëm dhe paanshmëri duke aplikuar dhe zhvilluar praktika të tilla investigimi që respektojnë njëkohësisht si kriteret e një pune cilësore edhe ato të mbrojtjes së interesave publike dhe të lirive e të drejtave të njeriut.
Vizionin dhe objektivat synoj t’i arrij duke shfrytëzuar punën e bashkëpunëtorëve profesionistë dhe me integritet dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera shtetërore që kanë të njëjat objektiva dhe synime në punën e tyre.
Për të rritur besimin e publikut tek institucioni i Prokurorisë në themel të punës së organit të akuzës do të jenë zbatimi i plotë i ligjit përmes respektimit të vlerave të tilla si objektiviteti, transparenca, bashkëpunimi, përgjegjëshmëria si dhe përdorimi me efikasitetet i fondeve buxhetore.
Misioni
Sipas Kushtetutës misioni i organit të akuzës është: të zhvillojë hetime dhe ndjekjen penale, të përfaqësojë në emër të shtetit akuzën në gjyq, të mbrojë interesat publike, t’u vijë në ndihmë organeve të drejtësisë si dhe të garantojë zbatimin e ligjit.