Prokuroria e Përgjithshme ka konkluduar, kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit per “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji i “Për Dekriminalizimin”.

Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Tërmet Peçi i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se:

- Subjekti deklarues Tërmet Peçi, referuar ligjit nr 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dorëzuar në datë 21.04.2016, të plotësuar në datë 10.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë.
Më pas në datë 10.06.2016 subjekti ka dorëzuar dhe një formular vetëdeklarimi dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore.

Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 10.04.2016, pasi sipas ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar duke respektuar afatet ligjore. Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në formularin e parë të përcjellë për verifikim nga ana e Sektorit është konstatuar se nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me vendime penale përfundimtare apo jo, masa sigurimi, dëbime, apo hetime brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve, dhe informon se ky subjekt është dënuar me vendim të formës së prerë, nr.  21, datë 27.04.2004 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë, për veprën penale të “Përdorimit të dokumentave të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë. Këto të dhëna gjenden të pasqyruara dhe në Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore datë 30.05.2016, përcjellë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe shkresës datë 01.06.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me anë të së cilës informohet Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve se subjekti vetëdeklarues, Tërmet Peçi, ka një vendim dënimi.

Sektori i verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme me shkresën nr. 454/2 prot. datë 17.02.2017 dhe nr. 451/4 prot. datë 21.02.2017, i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve me shkresën nr. 679/1 prot. datë 27.02.2017 na ka vënë në dispozicion Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, nr. 11 prot. datë 23.02.2017, ku konfirmon të dhënat se subjekti z. Tërmet Peçi realisht ka një dënim penal të formës së prerë.
Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004, në emër të z. Tërmet Peçi, i cili është i dënuar për veprën penale të “Përdorimit të dokumentave të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë.

Subjekti rezulton se nuk e ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit. Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.
- Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Adriatik Zotkaj i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se:

Subjekti deklarues Adriatik Zotkaj, referuar ligjit nr. 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të administruar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në datë 26.04.2016, të plotësuar në datë 22.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë.

Më pas, në datë 10.06.2016, subjekti ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dytë bashkë me një deklaratë të firmosur nga vetë ai, dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore.

Në datë 04.01.2017, përsëri Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka administruar një kërkesë të subjektit  Adriatik Zotkaj të cilit i ka bashkëlidhur vërtetimin e gjendjes gjyqësore nr. 1 prot. datë 24.11.2016.

Gjithashtu në datë 14.02.2017, datë në të cilën është përcjellë dhe kërkesa për verifikim të thelluar, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka protokolluar dhe administruar një vërtetim datë 14.02.2017, të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat.  Këtij vërtetimi i janë bashkëlidhur dy vendime gjykate, me kërkues subjektin Adriatik Zotkaj.

Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 22.04.2016, të administruar në 26.04.2016 nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, pasi sipas ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar duke respektuar afatet ligjore.  Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin.

Në formularin e parë të përcjellë për verifikim, nga ana e Sektorit është konstatuar se subjekti ka deklaruar, një vendim penal të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Korçë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” ku është dënuar me 3 vjet burg, një vendim të Gjykatës së Rrethit Skrapar për “Kundërshtimin e punonjësve të policisë së rendit publik”, dënuar me 10 muaj burg, dhe një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, për veprën penale të parashikuar nga neni 250 dhe 187 i Kodit Penal, dënuar me 1 vit burgim. Gjithashtu ka deklaruar nën pyetjen 4 të formularit se ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe ndaj tij ka pasur dy masa sigurie “arrest në burg” nga Prokuroria e Rrethit Korçë, dhe ajo e Rrethit Skrapar, për veprat penale për të cilat është dënuar më pas me vendime të formës së prerë.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve, konfirmon vendimet e mësipërme dhe vlerëson se subjekti nuk përfshihet brenda fushës së ndalimeve të nenit 2 të ligjit 138/2015, pasi sipas nenit 4, të ligjit nr. 138/2015, për këto dënime kanë kaluar afatet e rehabilitimit.

Sektori i verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme i është drejtuar me kërkesa përkatësisht, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve ka vënë në dispozicion Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, datë 23.02.2017. Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka vënë në dispozicion vendimet penale të formës së prerë, datë 29.07.1985; datë 01.02.2001; dhe datë 29.12.2006. Gjykata e Shkallës së Parë  Korçë ka vënë në dispozicion vendimin datë 19.03.1992. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vënë në  dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 370 datë 21.05.2002 në emër të subjektit deklarues z. Adriatik Zotkaj.

Subjekti, nga përgjigjet dhe verifikimet e kryera, rezulton se nuk ka deklaruar vendimin gjyqësor të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Skrapar nr. 20, datë 29.07.1985, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit, njëjtë siç ka deklaruar dhe vendimet e tjera penale dhënë nga Gjykatat e Shkallës së Parë Skrapar, Korçë dhe Tiranë.

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.