Media

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës zhvilloi analizën vjetore në lidhje me treguesit e punës të vitit 2021 dhe objektivat e prioritetet për vitin 2022.

Analiza u zhvillua në ambientet e Prokurorisë Durrës dhe në këtë takim morën pjesë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela, dhe Kryetari I Këshillit të Lartë të Prokurorisë Z. Alfred Balla, të shoqëruar nga Kostaq Beluri,  dhe Ludovik Dodaj, Drejtuesi i Parë Neritan Nallbati, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Durrës, si dhe Zv/Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Z. Paulin Çera. Këtë takim të përvitshëm pune e hapi Drejtuesja e Prokurorise  pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës Znj. Anita Jella e cila bëri një përshkrim të hollësishëm të punës të vitit që lamë pas duke specifikuar si më poshtë:

 Funksioni thelbësor i punës së prokurorit është ushtrimi i ndjekjes penale dhe përfaqësimi i akuzës në gjykatë në emër të Shtetit, përmes zbatimit të parimit të ligjshmërisë, domethënë prokurori duhet të ndjekë çdo çështje, kur ka prova të mjaftueshme për vazhdimin e ndjekjes penale Në këtë aspekt, Kushtetuta dhe ligjet u përmbahen standardeve europiane përkatëse se "pavarësia e prokurorëve nuk është prerogativë apo privilegj i dhënë në interes të prokurorëve, por garanci në interes të një drejtësie, të paanshme dhe efikase që mbron si interesat publike, ashtu edhe ato private te personave të prekur. 
Përgjatë vitit 2021, trupa e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës ka ushtruar me një shkallë të lartë përgjegjshmërie ndjekjen penale
Nëpërmjet analizës vjetore të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, u analizua në mënyrë të detajuar në aspekte të veçanta të gjithë treguesit lidhur me veprimtarinë e punës për periudhën njëvjeçare. Informacioni I paraqitur nga Drejtuesja e Prokurorise përmban të dhëna mbi numrin e çështjeve dhe materialeve kallëzuese të regjistruara, mënyrën e zgjidhjes ligjore të tyre, numrin e çështjeve të mbartura nga viti i kaluar, por dhe ecurinë e çështjeve të dërguara gjykatës, dhe të dhëna të tjera që tregojnë një punë voluminoze të realizuar nga kjo zyrë. 
Drejtuesja e Prokurorise paraqiti treguesit e punës së veprimtarisë së përgjithshme të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, realizuar gjatë vitit 2021, në ushtrimin e ndjekjes penale, në hetimin paraprak dhe në gjykim si dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera ligjore nga Prokurorët dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore.
U paraqiten në mënyrë të përmbledhur treguesit e punës, ecuria, progresi, por dhe mangësitë e konstatuara në punën e trupes, zgjidhjet ligjore të dhëna dhe hapat e hedhura për zhvillimin dhe përmirësimin e standarteve në punë, performancën e Prokurorëve dhe Oficerëve të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. 
Arritjet e punës së kësaj trupe prokurorwsh, u vlerësuan pozitivisht nga të pranishmit duke e konstatuar si një ndër prokuroritë me arritjet më të mira si në treguesit e volumit te punës që ka përballuar por dhe në zgjidhjen ligjore të çështjeve dhe në rritjen e performancës se punës.
Prokurori I Përgjithshëm vuri në dukje se pavarësisht kushteve dhe rrethanave qe po kalojmë duhet që treguesit e punës së prokurorëve të jenë pjesë e transparences me publikun për të rritur besimin e publikut në këtë sistem. Ai theksoi se është domosdoshmëri rritja e mwtejshme e treguesve të punës sa I takon çështjeve të krimit ekonomiko-financiar, pastrimit të parave, trafiqeve, dhe krimeve mjedisore në zbatim të Rekomandimeve të Këshillit të Ministrave dhe Rezolutës së Kuvendit.
Kryetari I Këshillit të Lartë të Prokurorisë Z. Alfred Balla përgëzoi ekipin e prokurorëve për rezultatet duke theksuar se, tashmë pjesa më e vështirë e situatës së shkaktuar nga vakancat në sistem po kalon dhe, gjatë muajit korrik 2022, do të emërohen 22 magjistratë (prokurorë) të cilët, do të lehtësojnë volumin e punës në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Zoti Balla, kërkoi një bashkëpunim më të madh e konkret ndërmjet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe Prokurorisë së Apelit Durrës, si dhe të këtyre dy prokurorive me agjencitë ligjzbatuese në vend dhe me gjykatën e rrethit. 
Ndër prioritetet e tjera për vitin 2022, janë zbatimi i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, Rekomandimet e Këshillit të Ministrave, të urdhërave dhe udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore, me qëllim përmirësimin e dhe rritjen e efiçencës në luftën kundër kriminalitetit dhe paligjshmërisë. 

Konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim rritjen e efektivitetit për veprat penale të cilat janë prioritet për Prokurorinë e Durrësit. 

Vazhdimi i ndjekjes me përparësi të procedimeve penale: në fushën e krimit ekonomik, korrupsionit, pastrimit të produkteve të veprës penale, abuzimit me detyrën nga nëpunësit shtetërorë, trafiqeve të të gjitha llojeve, në fushën e veprave penale kundër jetës së personit dhe moralit, pasurisë, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, etj.

Përfundimi me sukses dhe mbrojtja e akuzës deri në fazën e gjykimit të çështjeve që lidhen me ngjarje të rënda kriminale të viteve të mëparshme, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet policore, për t’u dhënë mesazhin autorëve të këtyre krimeve se nuk mund t’i shpëtojnë ndëshkimit ligjor pavarësisht kohës që ka kaluar.

Rritja e funksionit drejtues dhe kontrollues të prokurorit ndaj policisë gjyqësore, në seksionin dhe shërbimet e policisë gjyqësore në zbatim të Ligjit 97/2016 “Për organizimin dhe funsionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Përmirësimi i organizimit, drejtimit dhe kontrollit të punës brenda organit, me qëllim për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave për rritjen e cilësisë së punës.

Përmirësimi i cilësisë së hetimeve për veprat penale në fushën e narkotikëve, e fokusuar te drogat e forta, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe rritje të numrit të hetimeve proaktive për këto vepra dhe ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe të dënimit për veprat penale në fushën e narkotikëve

Rritja e numrit të rasteve të zbatimit të instrumenteve të reja penale, siç janë urdhri penal, marrëveshja, si dhe rritjen e rasteve të gjykimit të drejtpërdrejtë, me synim hetimin dhe gjykimin e çështjeve penale në një afat sa më të shpejtë. 

Trajnimi i prokurorëve dhe i oficerëve të policisë gjyqësore, si dhe i administratës, me qëllim rritjen e performancës dhe aftësive të tyre në zbatimin e plotë dhe të drejtë në praktikë, të të gjitha ndryshimeve ligjore, si dhe legjislacionit për të miturit dhe në fushën e hetimit ekonomiko financiar dhe në hetimet pasurore, si një detyrim ligjor dhe objektiv për tu realizuar me qëllim përmirësimin e punës së këtij institucioni. 

njoftim dr