Media

I dënuar në Itali për ‘Shfrytëzim prostitucioni’ me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit konfiskohen 14 pasuritë e shtetasit M.A. nga biznesi, apartamenti dhe makinat

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, u konfiskuan 14 pasuri të shtetasit M.A., i dënuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal.

Nga gjykimi në kuadër të procedimit penal nr.808, të vitit 2017, u arrit të provohej se ky shtetas ka kryer veprimtari kriminale në Itali, ku autoritetet gjyqësore të Torinos e kanë deklaruar fajor dhe ku është dënuar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. 

Aktet e ardhura nëpërmjet kërkesës për ndihmë juridike nga autoritetet italiane të drejtësisë,  provuan faktin e dënimit të formës së prerë të të pandehurit në Itali dhe përfitimin e të ardhurave nga kjo veprimtari e paligjshme. Nga gjykimi u evidentuan transaksione të shpeshta financiare të kryera nga ushtrueset e prostitucionit në drejtim të të pandehurit apo familjarëve të tij, si dhe u provua se të ardhurat e paligjshme pastroheshin për t’u dukur si të ligjshme nga i pandehuri nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. 

Pasuritë e blera janë perfshirë në shitblerje të përsëritura, duke krijuar një zinxhir të rremë transaksionesh për të legjitimuar të ardhurat. Kjo veprimtari/pastrim është kryer nga i pandehuri jo vetem si individ por edhe nëpërmjet aktivitetit ekonomik që ai ka hapur si person fizik në shitblerje-dhënie me qera automjetesh. 

Në përfundim të gjykimit, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:

- Apartament në qytetin e Durrësit;
- Automjet Mercedes Benc; 
- Automjet Suzuki Grand Vitara; 
- Automjet Volkswagen; 
- Automjet JEPP;
- Automjet Fiat Marea; 
- Automjet Maserati; 
- Automjet BMV; 
- Automjet Mercedes Benc; 
- Automjet Audi SQ7; 
- Automjet Volkswagen:
- Automjet Volkswagen;.
- Motomjet Motor BMV; dhe 
- Aktivitet tregtar me fushë të veprimtarisë Tregti automjetesh dhe dhenie mjetesh me qera, në qytetin e Elbasanit. 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, mbetet gjithmonë e angazhuar në përmbushjen e detyrimit të saj për dënimin e personave që kryejnë veprën penale të pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtaria kriminale.