Media

Prokuroria kërkon “Arrest në burg”, për shtetasin turk Faruk (Fatih) Özer me qëllim ekstradimin

Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bazë të operacionit policor të koduar “Brain”, më datë 30.08.2022, ora 16.20 kanë kryer arrestimin e shtetasit turk Faruk (Fatih) Özer, lindur në Turqi dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Autoritetet Turke të Drejtësisë.
Arrestimi i tij është bërë pasi autoritetet e drejtësisë turke kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin e mësipërm pasi me vendimin nr.2024/2706D.Is, datë 07.05.2021 Gjykata Magjistrale Nr.7 e Stambollit Anadollian në Turqi ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale të “Ngritja e orgazinatave me qëllim kryerjen e krimeve” dhe “Mashtrim në rrethana rënduese” të parashikuar nenet 220/1, 158/f të K.Penal të Turqisë. 
Nga informacioni i dërguar nga Difuzioni i Interpolit rezulton se shtetasi turk Faruk Fatih Özer në vitin 2017 ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete dixhitale, ai ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021. 
Për këto arsye shtetasi turk Faruk Fatih Özer është shpallur në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe për llogari të Zyrës Qëndrore të Interpol Ankara.
Për sa më sipër, bazuar dhe në nenin 39/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë vlerësojmë se ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore që shteti kërkues, Turqia të nisë procedurat e ekstradimit ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Özer. 
Gjithashtu Republika e Shqipërisë si dhe Republika e Turqisë, janë të dyja palë të Konventës së Këshillit të Europës “Për ekstradimin” si dhe 2 Protokolleve shtesë të saj.  Edhe sa i përket veprës penale për të cilën është shpallur në kërkim shtetasi turk Faruk Fatih Özer, ato janë të parashikuara si të tilla njëkohësisht në Kodin tonë Penal. Konkretisht, vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim është e parashikuar në nenet 143, 143/a, 333 dhe 334 të K.Penal shqiptar dhe këto vepra nuk kanë karakter politik apo ushtarak. 
Për këto arsye, bazuar në nenet 494/6 dhe 495 të K.Pr.Penale,
K  Ë  R  K O J M Ë:
1.    Miratimin e arrestimit provizor të shtetasit turk Faruk Fatih Özer të kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. 
2.    Caktimin e masës provizore të sigurimit personal shtrënguese “Arrest në burg”, për shtetasin turk Faruk (Fatih) Özer, i biri i Zulkuf dhe Nursel, lindur në Gebze të Republikës Turke më datë 17.02.1994, me qëllim ekstradimi e tij në Turqi.