Njoftime për Shtyp
Falsifikonin dokumente për kalim të paligjshëm drejt vendeve të BE dhe SHBA, hetimet 7-mujore të Prokurorisë Tiranë çojnë në arrestimin të babë e bir
Dy shtetas, Y.B. 65-vjeç dhe P.B. 45-vjeç, babë e bir u arrestuan gjatë një hetimi të Prokurorisë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për falsifikim të dokumenteve të ndryshëm me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Ndërsa një person i tretë, shtetasi Sh.L. u procedua penalisht si bashkëpunëtor i tyre.
Një nga të arrestuarit ishte aktualisht me masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ të dhënë nga Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit (SPAK) si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari.
Prokuroria Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, mundësuan pas një hetimi shtatë mujor me metoda speciale, zbulimin edhe të një ambienti të përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshëm.
Nga hetimet rezultoi se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Ndërsa u sekuestruan dokumentet e dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
