Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, në Konferencën “100 Vjetori i Marrëdhënieve Diplomatike SHBA-Shqipëri

Është kënaqësi e veçantë që më jepet rasti të flas sot në këtë takim, i cili është provë e soliditetit të një marrëdhënie të gjatë e shumëdimensionale. Në kushtet kur po përjetojmë një krizë të përmasave globale, me pasoja te shumëfishta në planin politik, ekonomik e human, konsolidimi i marrëdhënieve mes vendeve që ndajnë së bashku vlerat e demokracisë e shtetit ligjor merr rëndësi ekzistenciale.

Shqipëria prej më tepër se 30 vitesh po bën përpjekje të vazhdueshme për forcimin e këtyre vlerave ku pa dyshim ndërtimi i nje shteti të së drejtës në kuadrin demokratik  përbën një sfidë themelore. Është e paçmueshme ndihma që ShBA kanë dhënë në këtë drejtim. Reforma në drejtësi nuk do të kishte qenë e mundur pa këtë mbështetje, si në konceptimin ashtu edhe gjatë zbatimit të saj. Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm përmes forcimit të sistemit të drejtësisë, arritjes së standarteve më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim, do të mund jo vetëm të bëhemi pjesë e familjes evropiane, që është aspirata jonë historike, por të jemi edhe partnerë të denjë në aleancën botërore të demokracive. 

Sfidat e sotme imponojnë më shumë se kurrë më parë thellimin e bashkëpunimit e ndërveprimit mes nesh. Shenjë e qartë në këtë angazhim të përbashkët është padyshim nënshkrimi në vitin 2020 i marrëveshjes së ekstradimit mes Shqipërisë e ShBA, duke plotësuar më tej kuadrin ligjor në përpjekjen tonë për goditjen e krimit në çdo nivel. Konstatoj me bindje se bashkëpunimi jonë në fushën e drejtësisë penale është efiçent dhe dinamik. 

Ne mbetemi njëkohësisht thellësisht të angazhuar për të vazhduar së bashku luftën ndaj çdo fenomeni kriminal që cënon sigurinë e shoqërive tona. Megjithatë, sfidat qe na presin janë komplekse. Duhet theksuar se korrupsioni vazhdon të mbetet faktori më destabilizues per institucionet demokratike në nivel global, ndaj përballja serioze me të përbën një detyrë madhore për të gjithë, por veçanërisht për sistemin e drejtësisë. Ndërkohe, një problem jo më pak të rëndësishëm për sigurinë dhe sistemin ekonomik e financiar paraqet pastrimi i parave te pista. Ndërsa zhvillimi i paprecedentë teknologjik po rrëzon  çdo barrierë fizike, duke na ekspozuar ndaj rreziqeve të panjohura më parë,  qasja e agjensive ligjzbatuese nuk mund të jetë tjetër veçse ajo e bashkëpunimit të ngushtë në nivel ndërkombëtar. 

Organet e drejtësisë në Shqipëri kanë një përgjegjësi historike së pari përballë qytetarëve shqiptare, por edhe ndaj  partnerëve tanë që kanë dhënë gjithë mbështetjen teknike e financiare për forcimin e tyre. Dështimi nuk mund të jetë opsion. Duke e vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën e ShBA në këtë drejtim si thelbësore edhe për të ardhmen, dhe këtu përfitoj nga rasti të falënderoj ambasadoren Kim për kontributin e jashtëzakonshëm në ecjen përpara të reformës në drejtësi, jam i bindur se ne kemi forcën dhe kurajon për të ndjekur të palëkundur rrugën tonë drejt ndërtimit të një shteti të së drejtës, të denjë për qytetarët e këtij vendi dhe partner cilësor në ansamblin e vendeve demokratike.

Ju faleminderit.