Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në tryezën e rrumbullakët të nivelit të lartë “Sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë dhe konflikti të interesave”

Aplikimi për herë të parë i sistemit elektronik të deklarimit të pasurive dhe konfliktit të interesave është një hap cilësor në perfeksionimin e instrumentave ligjorë që rrisin efikasitetin e institucioneve përgjegjëse në luftën ndaj korrupsionit. Standartizimi i hedhjes së të dhënave dhe mundësia e përpunimit të tyre në mënyrë optimale përveç dobive që sjell në aspektin administrativ, ndikon edhe në drejtim të hetimit të shpejtë dhe të plotë rasteve që lidhen me kallëzimet e ILDKPI apo hetimet e korrupsionit dhe pastrimit të parave. 

Për t’ju përgjigjur shqetësimit të opinionit publik shqiptar për nivelin e lartë të korrupsionit, vjedhjeve dhe shpërdorimeve të fondeve publike, prioriteteve të institucioneve shqiptare dhe kërkesave të vazhdueshme të organizmave të ndryshëm ndërkombëtarë për forcimin e luftës kundër veprave penale të kryera nga zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, personat e zgjedhur dhe nëpunësit publikë në Shqipëri, mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe ILDKPI është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi në tetor të vitit 2020, zbatimi i të cilit besoj do të bëhet edhe më efektiv me këtë masë të ndërmarrë. 

Duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm, e konsideroj të domosdoshëm vijimin e tij në drejtim të shkëmbimit të informacioneve për subjektet e deklarimit periodik të interesave private në ILDKPKI, me qëllim evidentimin e saktë të shkeljeve që përbëjnë vepër penale në fushën e deklarimit të pasurisë, konfliktit të interesave dhe veprave penale të tjera që konkurrojnë me to ose lidhen me detyrën e subjekteve që kanë detyrim ligjor të bëjnë deklarim periodik. Ky sistem mund të lehtësojë edhe zhvillimin e një metodologjie  lidhur me procedurat e hetimit administrativ dhe të referimit në prokurori të veprave penale. Prokuroria e Përgjithshme është e gatshme  në çdo rast të kontribuojë gjatë procesit të hartimit të metodologjisë lidhur me procedurat e hetimit administrativ dhe të referimit në prokurori të veprave penale. 
Duke vlerësuar pozitivisht këtë zhvillim, jam i mendimit se duhet të jemi të vëmendshëm edhe ndaj problemeve teknike që aplikimi i çdo sistemi të ri mund të krijojë si për institucionet përgjegjëse ashtu edhe për subjektet deklaruese. Procesi është mjaft delikat jo vetëm për shkak të vëmendjes së opinionit publik ndaj tij por edhe sepse saktësia e paraqitjes së të dhënave dhe afatet kohore që parashikon ligji mbartin sanksione të natyrës administrative e më tej edhe penale. Zhvillimet teknologjike kërkojnë një fazë adaptimi që shërben si për testimin teknik sistemeve të reja ashtu edhe për integrimin e saktë e të plotë të të dhënave. Trajnimi i përdoruesve të sistemit dhe siguria kibernetike janë gjithashtu aspekte thelbësore në aplikimin e tij.  Sidat nuk janë të pakta ndërkohë që objektivat janë të natyrës strategjike e kërkojnë kohë të arrihen, ndaj do e vlerësoja si të nevojshme një qasje me fleksibilietin e duhur në adaptimin me sukses të sistemit të ri. 

Duke përfunduar, dua t’ju shpreh sërish jo vetëm vlerësimet më të mira, por edhe vullnetin që institucioni i prokurorisë ka për të bashkëpunuar në të gjitha aspektet me ILDKPKI për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta.