Njoftime për Shtyp

Koordinim institucional për rekomandimet në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2022

Tiranë, 08.02.2022.  Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela priti në një takim sot Ministrin e Drejtësisë z. Ulsi Manja me të cilin diskutuan çështjet që lidhen me koordinimin e punës mes dy institucioneve në prag të përgatitjes së rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2022. 

Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Drejtësisë diskutuan për hartën e re gjyqësore e cila është në fazën e konsultimeve me grupen e interesit, dhe vlerësuan domosdoshmërinë për përshtatjen e saj me nevojat që ka sot sistemi i prokurorisë. 

Drejtuesit e dy institucioneve ranë dakord të bashkërendojnë punën për ndërlidhjen e sistemeve të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë me të cilat operojnë Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme sa i takon ekzekutimit të letërporosive për pastrimin e produkteve të veprës penale.