Njoftime për Shtyp

Merrnin para dhe nuk ndëshkonin drejtuesit e mjeteve që shkelnin Kodin Rrugor, Prokuroria Berat pezullon nga detyra 4 policët nën hetim për ‘Shpërdorim detyre’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat u pezulluan nga detyra katër policë nën akuzë për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.297 të vitit 2025, rezultoi se shtetasit K.G., M.D., A.S., dhe A.Q., me detyrë punonjës të policisë në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, janë përfshirë në veprimtari korruptive dhe kundrejt marrjes së vlerave monetare nuk ndëshkojnë me masë administrative drejtuesit e mjeteve të konstatuar me shkelje të Kodit Rrugor.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat, rezultoi se këta persona kanë kryer veprime ose mosveprime, duke manipuluar vendin e ngjarjes në aksidentet rrugore. 
Në këto kushte, për frenimin e vazhdimësisë së paligjshmërisë dhe duke qenë para dyshimit të arsyeshëm bazuar në fakte e prova konkrete, se nga ana e punonjësve të policisë janë konsumuar elementë që parashikohen nga vepra penale e ‘Shpërdorimit të detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal për vetë faktin që rastet janë të përsëritura, janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë, në kundërshtim me ligjin, duke mospërmbushur detyrën funksionale, kërkohet caktimi i masës së sigurimit ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasit K.G., M.D., A.S. dhe A.Q.