Njoftime për Shtyp
Neglizhuan në trajtimin e pacientit me pasojë humbjen e jetës, me kërkesë të Prokurorisë Fier pezullohen tre mjekë të Urgjencës së Spitalit Rajonal
Tre mjekë të Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, u pezulluan nga detyra me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, për veprën penale ‘Neglizhencë të trajtimit mjekësor’.
Nga hetimet e procedimit penal nr.181, viti 2022 për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekesor” parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal, rezultoi se më datë 03.02.2022, salla operative u njoftua se në spitalin e Patosit është dërguar pa shenja jete shtetasi A.Sh.
I ndjeri kishte shkuar në spitalin Patosit në orët e para të mëngjesit dhe më pas është dërguar me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier dhe më pas është kthyer në Patos ku është ulur në një lokal dhe ka ndërruar jetë.
Mjekët e turnit që ndodheshin në zyrën e mjekëve kur shtetasi A.Sh. u paraqit në orët e para të mëngjesit i shoqëruar nga ambulanca e Patosit me dhimbje gjoksi mohuan dijeninë në lidhje me rastin dhe faktin që i ndjeri të jetë paraqitur në turnin e tyre.
Por nga veprimet hetimore dhe administrimi i aktit të ekspertimit mjeko-ligjor u arrit në përfundimin se personelit mjekësor që ka trajtuar rastin ka konsumuar elementë të neglizhencës mjekësore. Për prokurorinë ekziston dyshimi i arsyeshëm që mjekët kanë neglizhuar në trajtimin e duhur të rastit, duke sjellë si pasojë vdekjen e të ndjerit.
Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Gjykata me vendimin nr. 62-2024-6773 datë 21.12.2024 vendosi caktimin e masës së sigurimit:
1. Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, ndaj shtetasit B.Dh, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”;
2. Caktimi i masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimit publik”, ndaj shtetases I.Ç, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”; dhe
3. Caktimi i masës së sigurimit me karakter shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit K.J, si i dyshuar për kryerjen e vepres penale “Neglizhenca në trajtimin mjekesor”.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe hetimin e rasteve të subjekteve të posaçme që për shkak të cilësive të tyre neglizhojnë në trajtimin e duhur të rastit duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e personave.