Njoftime për Shtyp
Nxitja e ndërmjetësimit në çështjet penale, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela dhe Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, Znj. Drita Avdyli nënshkruan një memorandum bashkëpunimi ‘Për nxitjen e ndërmjetësimit në çështjet penale dhe forcimin e bashkëpunimit institucional’.
Ky memorandum ka për qëllim nxitjen e vlerësimit të procedurës së ndërmjetësimit nga prokurorët si një mekanizëm alternativ dhe efektiv për zgjidhjen e konflikteve penale që përfshijnë të miturit në konflikt me ligjin, duke u krijuar mundësi që të korrigjojnë pasojat e veprës së kryer dhe përmirësimin e marrëdhënieve me viktimës.
Prokuroria angazhohet me këtë memorandum që të nxisë prokurorët për përdorimin e ndërmjetësimit si masë shmangieje dhe si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve midis të miturit autor dhe viktimës së veprës penale në përputhje me ligjin si dhe të bashkëpunojë në hartimin dhe zbatimin e projekteve me karakter arsimor e trajnues.
Nga ana e saj, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve, angazhohet ndër të tjera, të promovojë ndërmjetësimin si një mekanizëm për zgjidhjen efektive, ekonomike dhe sociale të çështjeve penale ku përfshihen të miturit autorë të veprës penale.
