Njoftime për Shtyp

Prokurorët e Përgjithshëm të Shqipërisë dhe Malit të Zi nënshkruan ‘Memorandum Mirëkuptimi’ për forcimin e bashkëpunimit në adresimin e krimeve të rënda, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, nënshkroi një “Memorandum Mirëkuptimi” me homologun e tij të Malit të Zi, Milorad Markovic, gjatë zhvillimit të Forumit të Dytë Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të zhvilluar në Tiranë më 16-17 qershor.
Me këtë memorandun, palët angazhohen të bashkëpunojnë dhe nxisin aktivitetet e në adresimin e krimeve të rënda, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave.
Memorandumi parashikon shkëmbimin e informacionit për situatën dhe tendencat e krimit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe shkëmbimin e informacionit mbi sistemin ligjor dhe ligjet e të dy vendeve dhe masat për forcimin e zbatimit të ligjeve në fushat e kompetencës së të dyja palëve dhe, nëse është e nevojshme, në lidhje me përvojat më të mira ndërkombëtare.
Gjithashtu, palët angazhohen për konsultime mbi çështje të përgjithshme juridike, veçanërisht për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit gjatë përgatitjes, analizës dhe zbatimit të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë, duke siguruar njëkohësisht respektimin e ligjeve për mbrojtjen e të dhënave, si dhe zhvillimin e hulumtimeve të përbashkëta për tema me interes të përbashkët, takime ekspertësh dhe seminare për tema që lidhen me aktivitetet e të dy institucioneve. 
Nëpërmjet këtij ‘Memorandum Mirëkuptimi’, palët angazhohen gjithashtu të lehtësojnë vizitat nga ekspertë për të nxitur njohuritë dhe shkëmbimin e përvojës së fituar nga të dy institucionet.