Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela vizitë zyrtare në Bullgari,forumi i Dytë i Prokurorëve të Përgjithshëm të Shteteve të Ballkanit

23-25 qershor 2021  Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari në kuadër të Forumit të Dytë të Prokurorëve të Përgjithshëm të Shteteve të Ballkanit mbi "Rolin e Prokurorit të Përgjithshëm në Promovimin e Shtetit të së Drejtës", i cili zhvillohet nga data 23 deri më 25 qershor 2021 në Sofje, Bullgari. 
 
Në fjalën e tij gjatë punimeve të Forumit, Prokurori i Përgjithshëm vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar, duke përdorur të gjitha instrumentet ndërkombëtare të ndihmës reciproke dhe strukturat ekzistuese në nivelin ndërkombëtar në mënyrë që të konsolidohen përvojat dhe kapacitetet për t’ju përgjigjur me efikasitet  kërcënimeve serioze të krimit ndërkombëtar në nivel rajonal, cka është në interes të qytetarëve tanë.
 
Gjatë vizitës Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela u prit në një takim zyrtar nga Prokurori i Përgjithshëm i Bullgarisë Ivan Geshev në Pallatin e Drejtësisë në Sofje, më të cilin diskutuan çështje me interes të përbashkët, luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin midis dy Prokurorive për çështje penale. Mes dy institucioneve është nënshkruar në vitin 2018 një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi që parashikon bashkëpunim në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare dhe shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit.