Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm prezanton “Raportin përmbledhës mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024”

Viti 2024, ashtu si dhe paraardhësi, vijoi të ishte mjaft kompleks për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet, pavarësisht ngarkesës, bashkëpunimi dhe koordinimi shumë i mirë institucional me Prokurorinë e Posaçme dhe Policinë e Shtetit, si dhe intensifikimi e përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhanë rezultate në punën hetimore, zbatimin dhe përmirësimin e drejtësisë penale, siç do të shihet në këtë raport.

I. TREGUESIT KRYESORË SIPAS FAZAVE TË PROCEDIMIT PENAL

1. Treguesit e hetimeve paraprake, pesha dhe tendencat e tyre

Gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.

Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me rreth 35,5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi;

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 koeficienti i kriminalitetit ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Sarandë.

Klikoni këtu për të parë raportin e plotë