Njoftime për Shtyp
Prokurori i Përgjithshëm zhvillon vizitë zyrtare në Kosovë, takime me U.D. së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kreun e Prokurorisë Speciale
Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela si dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z.Altin Dumani zhvilluan një vizitë zyrtare më 3-4 Nëntor, në Kosovë, ku u pritën nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z. Ardian Hajdaraj dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj.
Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet e deritanishme mes prokurorive, punën e kryer si dhe sfidat me të cilën ato po përballen aktualisht. Nga të dy delegacionet, u mor angazhimi për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit ndërkufitar në të dyja shtetet, jo vetëm përmes rritjes së shpejtësisë në ekzekutimin e kërkesave për ndihmë juridike, por edhe duke vazhduar punën e nisur me krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore. Me rëndësi thelbësore u vlerësua edhe mbështetja e këtij bashkëpunimi nga Projekti për Drejtësinë Penale në Ballkanin Perëndimor/Eurojust.
Në takim, pjesë e delegacionit të palës shqiptare ishin edhe drejtuesit e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë edhe Fier, përkatësisht z. Arens Çela dhe z. Elion Mustafaj, si dhe drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, z.Adnan Xholi. Ndërkohë nga pala kosovare morën pjesë në takim prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, zv.kryetarja e Këshillit Prokurorial, znj.Jehona Grantolli, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi dhe përfaqësues të tjerë.
