Njoftime për Shtyp

Prokuroria Tiranë kërkon “Arrest në burg” për nënë e bir për veprën penale ‘Vjedhja’ e pasurisë me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim

Prokuroria Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkon “Arrest në burg” për shtetasit R.D dhe H.D., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Prokuroria Pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9920 viti 2022.

Më datë 15.12.2022, rreth orës 14:10 min, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve", tek pallati "Orion" është vjedhur banesa e shtetases A. K. 
Pas kontrollit të bërë, kjo shtetase sqaroi se i mungonin të gjitha bizhuteritë të shumë viteve të cilat i ka patur tek sirtari i parë i komodinës së vogël, në krah të dollapit. 

Për ngjarjen është pyetur shtetësja R.D., e cila ka deklaruar se prej rreth 5 vjetësh ishte pastruese e banesës.

Nga Prokuroria dhe policia gjyqësore është vijuar me kryerjen e veprimeve hetimore. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorë të dyshuar të vjedhjes së banesës së shtetases A. K., janë shtetasit R.D., dhe djali i saj H.D.

Në këto kushte nga ana e Prokurorisë është kërkuar kontrolli i banesës ku jetojnë të dyshuarit me qëllim kërkimin dhe gjetjen e provave të veprës penale. 

Nga kontrolli i ushtruar janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
1. Shuma prej 58 150 (pesëdhjetë e tetëmijë e njëqind e pesedhjetë) euro;
2. Shuma prej 7000 (shtatëmijë) dollarë;
3.Shuma prej 368 000 (treqind e gjashtëdhjetë e tetëmijë) lekë;
4. Bizhuteri të ndryshme flori dhe argjend.

Mbi bazën e dyshimeve se në banesë fshiheshin edhe sende të tjera, është kontrolluar me imtësi banesa e të dyshuarve dhe në tubin e aspirimit janë gjetur të fshehura një shumë prej 404, 800 Euro, 8500 USD dhe një sasi e konsiderueshme bishuterish, të cilat dyshohen se iu përkasin edhe personave të tjerë ku R.D., ka punuar si pastruese. 

Sa më lart rezulton se nga ana e shtetasve R.D., dhe H. D., është kryer vepra penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134/3 dhe 25 të Kodit Penal.
Në këto kushte është bërë ndalimi i tyre me iniciativë të policisë gjyqësore.