Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Tiranës zbulon me metoda speciale të hetimit dy grupet kriminale që shisnin drogë pranë shkollave

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar dy procedime penale, nr. 420 viti 2023 dhe nr. 7470 viti 2022 për veprën penale 283 “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” kryer në bashkëpunim. 
Në përfundim të hetimeve disa mujore me metoda speciale hetimi, u arrit të vërtetohej veprimtaria kriminale e dy grupeve që përbëheshin nga 24 persona për të cilët u kërkua masa e sigurisë ‘Arrest në burg’. 

Nga hetimet e nisura në muajin Janar të këtij viti, rezulton se të gjithë të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin të ndarë në disa grupe dhe shpërndanin lëndë narkotike në zonën e Tiranës dhe të Kamzës, kryesisht tek të rinjtë. 

Shpërndarja kryhej në lokalet e natës, në ambientet më të frekuentuara nga të rinjtë dhe pranë një gjimnazi në Tiranë.

Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë janë rritur procedimet penale me metoda proaktive duke bërë të mundur dokumentimin e një sërë procedimeve penale.

Hetimet proaktive dhe përdorimi i metodave speciale të hetimit me qëllim parandalimin dhe goditjen e formave të organizuara të veprimtarisë kriminale dhe fenomeneve shqetësuese si shpërndarja e lëndëve narkotike në mjediset e të rinjve dhe institucioneve edukuese, mbeten në fokusin e Prokurorisë Tiranë.