Njoftime për Shtyp

Tjetërsuan 5000m2 tokë, Prokuroria Durrës kërkon “Arrest në burg” për tre persona për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”

Tre persona u arrestuan pas kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës më 17.01.2023 të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Të arrestuarit janë shtetasit e mëposhtëm:

Z.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave”;
A.I., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi detyrës”; dhe
F. I., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave” në formën e përdorimit parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ka regjistruar procedimin penal nr.592/2020, pas kallëzimit të disa banorëve të fshatit Kamerras, Njësia Administraive, Manëz, të cilët kallëzojnë se me anë të falsifikimit të dokumentave ju është marrë prona e përfituar nga ligji  nr.7501, datë 01.08.1991.

Pas hetimeve të kryera, rezultoi se shtetasi Z.D., në cilësinë e Përgjegjësit të Zyrës së Administrimit së Bujqësisë në Bashkinë Manëz në bashkëpunim me shtetasin A.I., ish-jurist pranë ZVRPP, sot ASHK, Durrës, duke falsifikuar zërin kadastral “tokë bujqësore me sipërfaqe 5000 m2 tokë, e kanë tjetërsuar duke ja kaluar në pronësi shtetasit F. I. 
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Z.D., u sekuestruan në cilësinë e provës shkresore, disa dhjetra AMTP, orgjinale të plotësuara, me vulë dhe të paplotësuara, kopje AMTP si dhe rreth 100 “Plane rilevimi”, të dyshuara të falsifikuara.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës vijon punën për dokumentimin e plotë të gjithë aktivitetit kriminal dhe bashkëpunëtorëve.