Media

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës zhvilloi analizën vjetore në lidhje me treguesit e punës të vitit 2023 dhe objektivat e prioritetet për vitin 2024

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës zhvilloi analizën vjetore në lidhje me treguesit e punës të vitit 2023 dhe objektivat e prioritetet për vitin 2024.
Analiza u zhvillua në ambientet e Prokurorisë Durrës dhe në këtë takim morën pjesë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, Kryetari i Komisionit të Policisë Gjyqësore, Prokurori Kasem Berberi, dhe Anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Zj. Ledina Riza, Z. Skënder Hita, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Durrës, si dhe Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Z. Rexhep Bekteshi. Këtë takim të përvitshëm pune e hapi Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm Durrës Znj. Anita Jella, e cila bëri një përshkrim të hollësishëm të punës të vitit që lamë pas duke specifikuar si më poshtë:

Përgjatë vitit 2023, trupa e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, ka ushtruar me një shkallë të lartë përgjegjshmërie ndjekjen penale. 

Nëpërmjet analizës vjetore të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, u analizua në mënyrë të detajuar në aspekte të veçanta të gjithë treguesit lidhur me veprimtarinë e punës për periudhën njëvjeçare. Informacioni i paraqitur nga Drejtuesja e Prokurorise përmban të dhëna mbi numrin e çështjeve dhe materialeve kallëzuese të regjistruara, mënyrën e zgjidhjes ligjore të tyre, numrin e çështjeve të mbartura nga viti i kaluar, por dhe ecurinë e çështjeve të dërguara gjykatës, dhe të dhëna të tjera që tregojnë një punë voluminoze të realizuar nga kjo zyrë. 

Drejtuesja e Prokurorise paraqiti treguesit e punës së veprimtarisë së përgjithshme të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, realizuar gjatë vitit 2023, në ushtrimin e ndjekjes penale, në hetimin paraprak dhe në gjykim si dhe përmbushjen e detyrimeve të tjera ligjore nga Prokurorët dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore.
U paraqiten në mënyrë të përmbledhur treguesit e punës, ecuria, progresi, por dhe mangësitë e konstatuara në punën e trupes, zgjidhjet ligjore të dhëna dhe hapat e hedhura për zhvillimin dhe përmirësimin e standarteve në punë, performancën e Prokurorëve dhe Oficerëve të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. 

Arritjet e punës së kësaj trupe prokurorësh, u vlerësuan pozitivisht nga të pranishmit duke e konstatuar si një ndër prokuroritë me arritjet më të mira si në treguesit e volumit te punës që ka përballuar por dhe në zgjidhjen ligjore të çështjeve dhe në rritjen e performancës se punës.

Nga Prokurori Kasem Berberi, u vu në dukje se pavarësisht kushteve dhe rrethanave qe po kalojmë, është domosdoshmëri rritja e mëtejshme e treguesve të punës sa i takon çështjeve të krimit ekonomiko-financiar, pastrimit të parave, trafiqeve, dhe krimeve mjedisore në zbatim të Rekomandimeve të Këshillit të Ministrave dhe Rezolutës së Kuvendit.

Anetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Zj. Ledina Riza përgëzoi ekipin e prokurorëve për rezultatet duke theksuar se, është e rëndësishme që prokurorët t’i kushtojnë rëndësinë e duhur procesit të vlerësimit të prokurorëve, moment shumë i rëndësishëm për zhvillimin e karrierës së tyre.
Ndër prioritetet e tjera për vitin 2024, janë zbatimi i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, Rekomandimet e Këshillit të Ministrave, të urdhërave dhe udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore, me qëllim përmirësimin e dhe rritjen e efiçencës në luftën kundër kriminalitetit dhe paligjshmërisë. 
Konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim rritjen e efektivitetit për veprat penale të cilat janë prioritet për Prokurorinë e Durrësit. 
Vazhdimi i ndjekjes me përparësi të procedimeve penale: në fushën e krimit ekonomik, korrupsionit, pastrimit të produkteve të veprës penale, abuzimit me detyrën nga nëpunësit shtetërorë, trafiqeve të të gjitha llojeve, në fushën e veprave penale kundër jetës së personit dhe moralit, pasurisë, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, etj.
Përfundimi me sukses dhe mbrojtja e akuzës deri në fazën e gjykimit të çështjeve që lidhen me ngjarje të rënda kriminale të viteve të mëparshme, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet policore, për t’u dhënë mesazhin autorëve të këtyre krimeve se nuk mund t’i shpëtojnë ndëshkimit ligjor pavarësisht kohës që ka kaluar.
Rritja e funksionit drejtues dhe kontrollues të prokurorit ndaj policisë gjyqësore, në seksionin dhe shërbimet e policisë gjyqësore në zbatim të Ligjit 97/2016 “Për organizimin dhe funsionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Përmirësimi i organizimit, drejtimit dhe kontrollit të punës brenda organit, me qëllim për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave për rritjen e cilësisë së punës.
Përmirësimi i cilësisë së hetimeve për veprat penale në fushën e narkotikëve, e fokusuar te drogat e forta, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe rritje të numrit të hetimeve proaktive për këto vepra dhe ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe të dënimit për veprat penale në fushën e narkotikëve
Rritja e numrit të rasteve të zbatimit të instrumenteve të reja penale, siç janë urdhri penal, marrëveshja, si dhe rritjen e rasteve të gjykimit të drejtpërdrejtë, me synim hetimin dhe gjykimin e çështjeve penale në një afat sa më të shpejtë. 
Trajnimi i prokurorëve dhe i oficerëve të policisë gjyqësore, si dhe i administratës, me qëllim rritjen e performancës dhe aftësive të tyre në zbatimin e plotë dhe të drejtë në praktikë, të të gjitha ndryshimeve ligjore, si dhe legjislacionit për të miturit dhe në fushën e hetimit ekonomiko financiar dhe në hetimet pasurore, si një detyrim ligjor dhe objektiv për tu realizuar me qëllim përmirësimin e punës së këtij institucioni. 

3
foto