Media

Hetime me metoda proaktive, Prokuroria e Fierit kërkon ‘Arrest në burg’ për personat e ndaluar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbi bazën e materialit kallëzues nr.1622, datë 03.10.2023, referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Seksioni i Narkotikëve, ka regjistruar procedimin penal nr.1302, datë 03.10.2023, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i K.Penal.

Pas hetimeve intesive me metoda proaktive, kontrollit personal, kontrollit të vendeve, pyetjes së personave të ndryshëm, etj, janë ndaluar shtetasit: D.B, A.B, L.D., E.Z dhe P.M., dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/2 i K.Penal. 

Ndalimet janë vleftësuar të ligjshme nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier duke caktuar ndaj shtetasve të lartpërmendur masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënies para përgjegjësisë penale të autorëve të tjerë. 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier është plotësisht e angazhuar për ndjekjen e veprave penale në fushën e narkotikëve dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave përgjegjës.