Media

Prokuroria Korçë kërkon ‘Arrest me burg’ për shtetasen V.S. për veprën penale të ‘Mashtrimit’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë regjistroi procedimin penal Nr. 1037, viti 2022 për veprën penale të ‘Mashtrimit’ parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.

Mbi bazën e materialit hetimor, rezulton se shtetasi TH.S., ka bërë kallëzim penal ndaj shtetases V.S., pasi i kishte premtuar se do të përfitonte një grant në euro për të bërë një hotel në Voskopojë në vlerën 3.5 milionë euro dhe në këmbim shtetasja V.S., mori 160.000 dollarë.

Po kështu, një qytetar nga Pogradeci gjithashtu ka bërë denoncim se i ka dhënë shtetases V.S., shuma të ndryshme, 9000 dhe 28.000 euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte një grant prej 1. 2 milion euro për të ndërtuar një bujtinë.

Pas disa muajsh denoncuesi i cili nuk e kishte përfituar grantin i ka kërkuar shtetases V.S., t’i kthente shumën e lekeve. Por ajo i kishte thënë, se granti nga 2.2 milionë euro do të shkonte në 4.5 milionë euro.

Prokurorja duke ju referuar deklarimeve të personave që kanë dijeni për faktet objekt hetimi, dokumentacionin me transfertat bankare të kryera, komunikimeve në platformën Whats’up dhe veprimeve noteriale vlerëson se ekziston dyshim i arsyeshëm për ekzistencën e veprës penale të ‘Mashtrimit’.

Për sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kërkoi masë sigurimi ‘Arrest me burg’ për shtetasen V.S., e dyshuar për kryerjen e veprës së mashtrimit