Media
Prokuroria Shkodër dërgon në gjyq për ‘Vjedhje me armë‘ të mbetur në tentativë shtetasin E.H.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq të pandehurin, shtetasin E.H për veprën penale “Vjedhja me armë”, të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 140, 22 dhe 25 të Kodit Penal.
Ndaj shtetasit E.H është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dhe vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore Franceze dhe Interpol.
Nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe Europol në kuadër të procedimit penal nr.1213, të vitit 2012, u arrit të provohet se, në datën 13.11.2012, rreth orës 14:25, në vendin e quajtur lagjia “Fahri Ramadani”, të qytetit të Shkodrës, shtetasi E.H, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë të paidentifikuar, të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri kanë tentuar të vjedhin argjendarinë në pronësi të shtetasit M.Ç.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër shëndetit të personit dhe pasurisë së tyre.