Media
Dyshime se rrjedhin nga veprimtaria kriminale, Prokuroria Tiranë kërkon sekuestrimin e pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij me vlerë 20 milionë euro
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon sekuestrimin e pasurisë së shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i K.Penal.
Në kuadër të procedimit penal nr.2702, viti 2018 dhe më pas procedimi pasuror nr 03 nga ana e Seksionit per Pastrimin e Parave pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, është grumbulluar informacion për një rast të dyshimtë për "Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale" për shtetasin N. Gj.
Ky shtetas, është pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal ka veprën penale “Trafikimit të lëndëve narkotike" të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal. Paraprakisht, janë identifikuar pasuritë të cilat dyshohet se nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale që ka kryer shtetasi N. Gj.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të shtetasit N.GJ., dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se pasuritë e paluajtshme t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale të shtetasit N.Gj. Për këto arsye, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e 31 pasurive, të cilat në total kanë një vlerë transaksioni 6 milionë euro por që në vlerë tregu përllogariten në 20 milionë euro.