Media

Keqpërdorte atributet që i jepte detyra, pas hetimeve të Prokurorisë Tiranë, arrestohet mjeku A.X. i Akademisë së Sigurisë

Sot më datën 14. 12.2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi Vendimin Nr 2943 datë 13.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni Përgjithshëm Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin A. X. me detyrë mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, për veprën pënale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”; “Falsifikim i dukomunteve shendetësore të parashikuar përkatësisht nga nenet 259/1188/2 të Kodit Penal.

Arrestimi i tij u konkludua pas një hetimi me metoda speciale disa mujor të Drejtorisë së Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. Xh., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjeksore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademise së Sigurisë. 

Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore rreth 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A.X., dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor,siguronin fiktivisht raportin mjeksor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.
Gjithashtu, është provuar se mjeku i arrestuar kryente falsifikimin e raporteve mjeksore duke i lëshuar për studentët në kohë të mëparshme si edhe duke i lëshuar personave të tretë pa qenë prezent dhe pa u vizituar tek ai si mjek.

Të dhënat e hetimeve paraprake, u vlerësuan veçanërisht për shkak të rrethanave të faktit, pasojës  dhe rrezikshmërisë së veprës penale, ku kursantët që synohet të dalin në terren dhe të sigurojnë zbatimin e ligjit, edukohen në të kundërt që në embrionin e tyre profesional. Akademia e Sigurisë është vendi ku përgatiten oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, të cilët në një të ardhme të afërt do të përballen me forma të ndryshme të krimit dhe do të jenë garantuesit e zbatimin e ligjit. 

Për sa sipër, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë.