Media

Mashtronte emigrantët se do u siguronte dokumente angleze në këmbim të shumave të mëdha të parave, Prokuroria Tiranë ndalon shtetasin M.N i akuzuar për tre vepra penale

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë mbi bazën e materialit referues të ardhur nga policia gjyqësore e Seksionit të Luftës Kundër krimit Ekonomiko-Financiar pranë DVP Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal nr.617, viti 2024 për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijëve” parashikuar nga nenet 186, 143 dhe 298 të Kodit Penal.

Në vijim të veprimeve hetimore, më datë 02.02.2024 është përcjellë një informacion shtesë, pasi në emisionin investigativ Stop, në TV Klan i datës 01.02.2024 është transmetuar materiali që denoncon mashtrimet. 

Një qytetar nga Fieri i është drejtuar këtij emisioni, për të denoncuar se vëllai i tij prej disa vitesh jeton në Angli, pa dokumente. Njihet me shtetasin M. N., nga qyteti i Beratit dhe ky i fundit i premton se do i sigurojë dokumente angleze. Shtetasi M. N. dyshohet se i ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 30.000 pound. Gjithashtu pranë emisionit Stop pas transmetimit të këtyre pamjeve, ka dërguar sms dhe shtetasi E.A., me vendbanim në Angli, duke denoncuar një rast tjetër mashtrimi, ku rezultoi se këtij shtetasi me të njëjtën skemë i janë marrë 10.000 pound.

Pas këtij momenti dhe komunikimit me gazetarët e Emisionit Investigativ Stop, u administruan pamjet filmike, u kontaktuan qytetarët duke marrë kallëzimet përkatëse dhe u ndalua shtetasi, M. N., si person i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Ndihma për Kalim të paligjshëm të kufijëve” parashikuar nga neni 143/3 dhe 298/3 i K.Penal.

Gjejmë rastin të përgëzojmë punën e gazetarëve të Emisionit Investigativ Stop për zbardhjen e këtij rasti dhe rasteve të tjera, dhe të inkurajojmë çdo media dhe qytetar për të denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit duke i garantuar se përgjegjësit do të vihen para drejtësisë