Media

“Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria Tiranë ndalon punonjësin e Agjencisë së Barnave, një në kërkim


Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.1731, viti 2022 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal, hetime këto të ndërlidhura dhe derivuara nga procedimi nr.553 i vitit 2021.

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.553/2021 për veprën penale “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Magazinimi i mallrave që janë kontrabandë”, pas kontrollit të ushtruar brenda subjekteve farmaci, janë gjetur barna kontrabandë. Shitja e tyre, dyshohet se është favorizuar nga punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, disponojnë informacione të marra në rrugë operative, ku rezulton se punonjës të Agjencisë së Barnave gjatë ushtrimit të detyrës së tyre tek subjekte private farmaceutike Tiranë, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K. Penal, pasi u kërkojnë dhe u marrin shuma monetare që variojnë nga 30.000 – 50.000 lekë subjekteve private si shpërblim që të mos i ndëshkojnë me masa administrative kur i konstatojnë me shkelje. 

Gjithashtu, në disa raste, këta punonjës kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi nuk kanë marrë masa administrative megjithëse kanë konstatuar shkelje tek disa subjekte farmaceutike. 

Nga ana jonë, janë identifikuar punonjësit e Agjencisë së Barnave që kanë ushtruar kontroll tek subjektet farmaceutike dhe konkretisht, shtetasit A. L. dhe L. C., të cilët nëpërmjet mosveprimeve të tyre në rast konstatimi shkelje nga subjektet farmaceutike, nuk kanë marrë masa administrative ndaj këtyre subjekteve.
Gjithashtu, në Emisionin Investigativ Stop në Tv Klan në datën 25.01.2023 është transmetuar një material lidhur me një subjekt farmaci. Dy punonjësit e Agjencisë së Barnave, shtetasit A. L. dhe L. C., nëpërmjet presionit kërkojnë dhe marrin përfitime monetare nga subjekti me qëllim mosvendosjen e gjobës për parregullsitë që janë gjendur në subjekt apo edhe për një vijimësi pagesash në periudha të mëtejshme.

Duke qenë se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kishte në fokus të hetimeve pikërisht këta dy shtetas si dhe persona të tjerë, dhe duke vlerësuar pamjet e transmetuara nga Emisioni Investigativ Stop, pamje të cilat në unitet me veprimet e tjera proceduriale krijuan provat për vënien para përgjegjësisë penale të këtyre dy shtetasve, u ndalua shtetasi L.C., ndërsa u shpall në kërkim shtetasi A.L., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 259 te Kodit Penal. 

Gjejmë rastin të falenderojmë Emisionin Investigativ STOP në TV Klan për inicitivën e ndërmarrë në investigimin e këtij rasti apo edhe e rasteve të tjera korruptive, e përkthyer kjo në një ndihmë për organin e Prokurorisë për dokumentimin e këtyre rasteve duke i shërbyer gjithë komunitetit dhe minimizuar pandëshkueshmërinë ndaj çdo individi që abuzon me detyrën duke e konsideruar atë si mjet përfitimi dhe jo shërbim ndaj komunitetit.