Media

Ofronin para në këmbim të votave, Prokuroria Vlorë kërkon arrestimin e dy shtetasve për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kërkoi arrestimin e shtetasve Dh. B., i njohur ndryshe si A.B, 51- vjeç dhe shtetasit P.K., 44-vjeç për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328, 25 i Kodit Penal.

Më datë 08.05.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka regjistruar procedimin penal nr. 489, mbi bazën e referimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.  

Nga aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, rezulton se nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është referuar informacioni në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në lidhje me disa persona të cilët dyshohen se ishin përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shitblerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e kësaj bashkie duke iu premtuar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara në të holla kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues. 

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e prokurorit është autorizuar kryerja e një sërë veprimesh procedurale në terren, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, me qëllim konstatimin e faktit penal për të cilin është regjistruar ky procedim penal. 

Pas kryerjes së një sërë veprimesh nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shkak të fakteve të rezultuara gjatë hetimit dhe provave të mbledhura në dinamikë me anë të përdorimit të metodave special të hetimit, është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve të mësipërm, lindur dhe banues në Himarë.

Në cilësinë e provës materiale, në momentin e arrestimit është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të reja.