Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Neni 149

1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.
3. Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të prokurorisë. Anëtarët joprokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe  profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj.
4. Dy anëtarë joprokurorë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparente dhe publike, shpall vendet vakante, sipas ligjit.
5. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave, verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe përgatit listën. Në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë.
6. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit pas përfundimit të verifikimeve, i dërgon menjëherë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale nënkomisionit, sipas paragrafit 7 të këtij neni.
7. Komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend krijon një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e listës. Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short.
8. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision sipas pikës 7 të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj.
9. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve joprokurorë, sipas ligjit.
10. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Në përfundim të mandatit, anëtarët prokurorë kthehen në vendet e mëparshme të punës. Mandati i prokurorit të posaçëm pezullohet gjatë kohës që ushtron funksionin si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Anëtarët joprokurorë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në detyra të barasvlershme me to.

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.