Prokuroria e Kavajës ka urdhëruar arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve lokalë në Kavajës, të dyshuar se kanë tjetërsuar 36 hektarë pronë publike në bregun e detit, në zonën e Spillesë, duke ua kaluar në pronësi shtetasve të ndryshëm, nëpërmjet fallsifikimit të dokumentave dhe shpërdorimit të detyrës.

Ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij, si edhe me mbështetjen e ish-zyrtarëve të komunës Kryevidh, kanë ndryshuar zërin kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”.
Në bazë të ligjit “Për tokën”, toka ranishte nuk ishte pjesë e fondit të ndarjes së tokave. Në bazë të fallsifikimit të dokumentave, zyrtarët lokalë  e kanë shënuar zërin kadastral “tokë arë” në sipërfaqen prej 36 hektarë bregdet. Më pas, këtë tokë ua kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur qëllim tjetërsimin e menjëhershëm të saj, nëpërmjet shitjes.

E vënë në dijeni të procesit të shpejtë të tjetërsimit, Prokuroria e Kavajës ndërhyri në Korrik 2017, duke e vendosur nën sekuestro sipërfaqen e ranishtes për të penguar përkeqësimin e situatës në terren.
Prokuroria e Kavajës nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme për Hetimin e Krimit  të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit. Gjithashtu, këtij procedimi penal i është bashkuar edhe një kallëzim i Kryetarit të Këshillit të Qarkut Tiranë.
Prokuroria e Kavajës ka zhvilluar hetime të gjera, duke hetuar mbi dokumentat në ZVRPP Kavajë, në bashkinë Rrogozhinë, si edhe praktikat administrative të ish-komunës Kryevidh, e cila mbulonte zonën e plazhit të Spillesë.

Në vijim të këtyre hetimeve, Prokuroria e Kavajës ka identifikuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët dyshohen si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për fallsifikimin dhe shpërdorimin e detyrës në ndarjen e tokave.
Për këtë arsye, Prokuroria e Kavajës i bëri kërkesë gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata, për shtetasit si më poshtë:

1. Seid Cikalleshi, ish-kryeregjistrues i Hipotekës Kavajë
2. Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë
3. Andi Gjeci, jurist, ZVRPP, Kavajë
4. Fatos Kaja, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë (aktualisht, nënprefekt i qarkut Tiranë)
5. Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë
6. Nezir Lecini, ish-shef i Zyrës së Kadastrës, Kavajë
7. Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë
8. Enver Duqi, ish-Drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës,  Kavajë

Gjithashtu, në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria ka lëshuar urdhërat e ndalimit edhe për shtetasit:
9. Altin Çoba, drejtor i ALUIZNI-t, Kavajë
10. Behgjet Pjeci, ish-kryetar i komunës Kryevidh, Kavajë
11. Dashnor Çullaj, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë

Vendimet e gjykatës për arrestimin e shtetasve të mësipërm, si edhe urdhërat e ndalimit të prokurorit, janë ekzekutuar, në pjesën më të madhe, nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë ditës së martë (14.11.2017). 

Aktualisht nuk janë zbatuar masat e sigurimit dhe janë shpallur në kërkim shtetasit: Seid Cikalleshi, Fatos Kaja dhe Enver Duqi.

Prokuroria Shqiptare

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Qëllimi i punës sonë është që para drejtësisë të vihen një numër sa më i madh personash, që kanë kryer vepra penale.

Denonco

Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucinon publik, të denoncojnë në këtë adrese postare.

publikime

Adresa

Rruga Qemal Stafa (Tirane)
Tel: 042282000
 
© 2014 Prokuroria Shqiptare. Të gjitha të drejtat e rezervuara.