Prokuroria është organ kushtetues organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me dispozitat e pjesës së dhjetë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “Prokuroria” dhe ligjit organik nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, ku janë parashikuar funksionet e saj si, organi që ushtron ndjekjen penale, përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e policisë gjyqësore, si dhe kryen detyra të tjera të parashikuara me ligj.
Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor. Ajo i ushtron funksionet në mënyrë të pavarur nëpërmjet prokurorëve.
Prokurorët i ushtrojnë kompetencat e tyre duke respektuar parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe interesit publik.