Njoftime për Shtyp

Bashkëpunim Ndërinstitucional për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore

Tiranë, 9 dhjetor 2020. Prokuroria e Përgjithshme organizoi tryezën e përbashkët “Bashkëpunim Ndërinstitucional për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore” me pjesëmarrjen e nënkryetarës së Kuvendit të Shqipërisë Znj. Vasilika Hysi, deputete të Kuvendit, përfaqësues të misionit OPDAT dhe koordinatorët e viktimave Prokurorive të Rretheve Gjyqësore.

Aktiviteti i organizuar në kuadër të 16 ditëve të aktivitizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore shërbeu për të analizuar hapat që ka ndërmarrë vendi ynë vitet e fundit në kuadër të përafrimit të legjislacionit penal material dhe procedural, zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, por edhe për të koordinuar punën mes institucioneve për parandalimin e ketyre fenomeneve.

Fjala e Zj.Pranvera Pustina Prokurore, Drejtore e Kabinetit, Prokuroria e Përgjithshme në tryezën “Bashkëpunim Ndërinstitucional për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore”


Të nderuar pjesëmarrës,

Mirëmëngjes dhe mirë se keni ardhur në këtë takim të iniciuar nga Prokuroria e Përgjithshme, që gjeti mbështetjen e anëtareve të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe misioneve të huaja që asistojnë vendin tonë  në luftën kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore.

Jemi në përfundim të 16 ditëve të aktivitizimit kundër këtyre fenomeneve, jemi në fund të një viti të vështirë, e në këto kushte vlerësojmë se kjo tryezë zhvillohet në kohën e duhur për të diskutuar mes njëri-tjetrit, për të analizuar hapat që kemi ndërmarrë në funksion të përmbushjes së detyrimeve reciproke dhe zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore dhe për të koordinuar punën mes institucioneve tona.
Faleminderit pjesëmar

ëve në këtë tryezë, faleminderit të gjithë atyre që po na ndjekin online!
Më lejoni të ndaj me ju panoramëm ligjore dhe faktike në të cilën ndodhemi sa i përket parandalimit dhe luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Sigurisht që theksi i fjalës sime është progresi që Shqipëria ka bërë vitet e fundit në kuadër të përafrimit të legjislacionit penal material dhe procedurial në këtë fushë.

Me ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për “Parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, nw vitin 2012, Shqipëria i dha rrugë një sërë ndryshimeve rrënjësore, veçanërisht në fushën penale, me synimin për të siguruar një tolerancë zero (referuar këtu gjuhës së konventës) ndaj këtij fenomeni i cili së pari nuk duhet kuptuar si një problem personal i një individi konkret, viktimë e dhunës, por si një shqetësim që na përket të gjithëve si shoqëri e që përgjigjja duhet të vijë njëzëri.
Në përputhje me funksionin e saj kushtetues dhe ligjor, Prokuroria e Përgjithshme ka qenë dhe vazhdon të jetë e përqëndruar në zbatimin me korrektësi të legjislacionit penal material dhe procedurial të përafruar, në ngritjen e strukturave eficente dhe permanente si garantuese të zbatimit të standarve ndërkombëtare në këtë fushë, trajnimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore si dhe plotësimin e stafit.

Bazuar nga të dhënat statistikore që institucioni ynë prodhon çdo vit e që shërbejnë si bazë analitike për efekt të vlerësimit të situatës mbi efektshmërinë e politikave penale, vëmë re për periudhën janar- shtator 2020 rritje të numrit të çështjeve të regjistruara sa i perket veprave penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes nga 960 në 1000, krahasuar me një vit më parë, në nivel kombëtar. Ndërkohë që për të njëjtën periudhë krahasimore, sa i përket krimeve seksuale dhe vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare, shohim një trend zbritës në raport më vitin 2019.

Situata paraqitet jo optimiste sa i përket analizës krahasimore të këtij viti i cili ende nuk ka përfundur, me një vit më parë lidhur me urdhrat e mbrojtjes dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes të lëshuara nga gjykatat shqiptare. Në 150 urdhra mbrojtje të përfunduara për vitin 2019, mbi 140 të tilla janë gjykuar për këtë vit, dhe këtu flasim vetëm për të dhënat e gjeneruara nga gykata e Tiranës. Në 804 urdhra të mënjehershëm mbrojtje të përfunduara nga po kjo gjykatë për vitin 2019, numri i tyre për këtë vit ka kaluar mbi 750.
Me keqardhje vëmë re, një situatë në mos regresi, të paktën të pandryshueshme në drejtim të parandalimit dhe luftës kundër dhunës në familje dhe asaj me baza gjinore.

Pikërisht mbështetur në sa më sipër, Prokuroria e Përgjithshme mbetet konsistente në vlerësimin e saj se masat që duhen marrë në përgjigje të këtij fenomeni negativ duhet të përfshijnë disa aktorë dhe të jenë të shoqëruara nga një analizë e thelluar me natyrë kriminologjike, periodike dhe transparente për publikun, me synimin për të sjellë rezultatet e shumëkërkuara.
Aktualisht ne kemi një dispozitë penale sa i perket Dhunës në Familje të ndryshuar në tërësi, duke përfshirë veçanërisht zgjerimin e konceptit të familjes dhe rrjedhimisht rrethin e subjekteve të vecantë dhe ashpërsimin e sanksionit.

Në mënyrë absolute, efekti tejet traumatizues që ka një krim brenda familjes, kërkon një përgjigje të përbashkët nga gjithë shoqëria dhe veçanërisht institucionet ligjzbatuese (policia, prokuroria, gjykata) por masa drastike e ashpërsimit të dënimit duhet të jetë masa e fundit, në kushtet kur të gjitha masat e tjera kanë rezultuar të paefektshme. Gjithashtu ajo që është mjaft e rëndësishme mbetet analiza e plotë dhe e thelluar e situatës aktuale, nevojave që diktojnë ndryshimet, pasojat social-ekonomike, efektin parandalues, edukues dhe atë rehabilitues. Së fundi, ne besojmë se ka ende nevojë për t’u bërë më shumë në aspektin parandalues të këtyre veprave, duke nisur me edukimin e shoqërisë në moshë të hershme, ndërgjegjësimin e grupeve vunerabël për të drejtat e tyre, si dhe lehtësimin e aksesit në institucionet ligjzbatuese.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju masat konkrete të ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme për këtë vit, mbeshtetur në gjetjet e paraqitura në rezoluten e Kuvendit të Shqipërisë dhe në zbatim të rekomandimeve të grupit të Ekspertëve për masat kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Grevio) dhe Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (Ecri):

• Për herë të parë në përgjigje të kërkesave të mësipërme  Prokuroria e Përgjithshme po punon për të prodhouar statistika specifike për këto fenomeve, çka besojmë se do na ndihmojnë për të propozuar hapa dhe nisma të mirëargumentuara.
• Në fund të këtij viti do të hyjë në fuqi dhe publikohet Udhëzimi i Prokurorit të Përgjithshëm mbi hetimin dhe ndjekjen penale efektive të veprave penale kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë urrejtje, që adreson  detyrimet e konventës së Stambollit, duke synuar unifikimin e masave proceduriale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshem, nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe organizatat e shoqërisë civile, në kryerjen e trajnimeve, hartimin e protokolleve dhe strategjive specifike në trajtimin e rasteve ku përfshihen viktima të dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës me bazë urrejtje. 
• Në synimet tona është gjithashtu krijimi i seksione të posaçme në prokurori, në përbërje të të cilave do të jenë prokurorë të specializuar për cështjet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, përmes të cilave do të synohet rritja e efikasitetit në hetimin e këtyre veprave penale.

Takimi I sotëm është gjithashtu një shprehje e rolit proaktiv të Prokurorisë së Përgjithshme në këtë drejtim, i cili pa dyshimi i shërben më së miri kauzës sonë të përbashkët.     

                                                                  
Dëshiroj të ritheksoj se kjo është një përpjekje që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve dhe fakti që jemi sot bashkë në këtë tryezë dëshmon për një vullnet ndërinstitucional.

foto5

foto6