Organizimi
Organizimi
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
Funksionet
Prokurori i Përgjithshëm përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme. Prokurori i Përgjithshëm nxjerr udhëzime të përgjithshme për prokurorët e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe oficerët e Policisë Gjyqësore dhe mbikëqyr zbatimin e tyre, raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit në vend, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike ose hetime për shkeljet individuale, administron sistemin e përgjimeve dhe ushtron të tjera kompetenca sipas nenit 38 të Ligjit Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
ORGANIZIMI DHE DREJTIMI I PROKURORISË SHQIPTARE
Prokuroria organizohet dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor. Prokuroria përbëhet nga:
b) Prokuroria e Posaçme, sipas ligjit të posaçëm;
c) prokuroritë pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm;
ç) prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
Drejtimi dhe përfaqësimi i prokurorisë, bëhet, respektivisht, nga:
a) Prokurori i Përgjithshëm;
b) Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
c) drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm;
ç) drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.
PROKURORIA E PËRGJITHSHME
Prokuroria e Përgjithshme ka juridiksion mbi të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe e ka selinë në Tiranë.
Prokuroria e Përgjithshme ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria funksionon pranë sistemit gjyqësor bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe Ligjit organik nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.
PROKURORËT
Prokurorët në ushtrimin e detyrës u nënshtrohen Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe ligjeve të tjera në fuqi.
Prokurorët i ushtrojnë kompetencat e tyre duke respektuar parimet e procedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe interesit publik.