Njoftime për Shtyp

Bashkëpunim ndërinstitucional për intensifikimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

 

Tiranë, 15 korrik 2020. Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj dhe Ministri i Brendshëm z. Sandër Lleshaj nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për rritjen e efektivitetit në hetimet që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale.

Përmes këtij memorandumi palët angazhohen të rrisin dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional, kapacitetet institucionale dhe profesionale për të përmbushur rekomandimet e Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA), midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, Planit të Veprimit të ICRG/FATF në afatet e përcaktuara nga secili institucion përgjegjës.

Palët angazhohen të marin masat e nevojshme mbikëqyrëse, monitoruese dhe koordinuese sipas kompetencave ligjore, të kryejnë analiza të përbashkëta dhe të shkëmbejnë informacione midis institucioneve me qëllim evidentimin e saktë dhe të plotë të shkeljeve që përbëjnë vepër penale në fushat e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe kryerjen e hetimeve pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

Marëveshja parashikon marrjen e masave për inicimin dhe realizimin e ndryshimeve ligjore apo nxjerrjen e akteve nënligjore të nevojshme si dhe krijimin apo përmirësimin e strukturave të veçanta sipas fushës së veprimit të këtij memorandumi me personelin më të kuafifikuar.

Marrëveshja institucionalizon bashkëpunimim për kryerjen e hetimeve proaktive dhe përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit për të rritur efektivitetin e bashkërendimit ndërmjet institucioneve dhe agjencive përkatëse të zbatimit të ligjit, sipas fazave të gjurmimit, hetimit dhe ndjekjes penale. Institucionet angazhohen të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë, pa cënuar kompetencat ligjore respektive, mbrojtjen e të dhënave personale dhe ruajtjen e sekretit hetimor për çështje konkrete.

Nënshkrues të këtij memorandumi janë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit Pastrimit të Parave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Marrëveshja saktëson kontributin e secilit institucion, duke përcaktuar detyrat dhe bashkërendimin e punës mes institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese në gjurmimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale në fushat e pastrimit të produkteve të veprës penale, krimeve financiare, financimit të terrorizmit, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, të kryera nga subjekte person fizik apo person juridik, sipas veprave të Kodit Penal.

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit

bashkepunim1

bashkepunim2

bashkepunim3