Njoftime për Shtyp

EURALIUS, bashkëpunim të ngushtë për forcimin e institucionit të prokurorisë.

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në Takimin e IV të Komitetit Drejtues të Aktorëve të Interesuar të Projektit “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (EURALIUS III)” I financuar nga Bashkimi Evropian.

Jam i nderuar që marr pjesë në Takimin e IV të Komitetit Drejtues të Aktorëve të Interesuar të Projektit “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (EURALIUS III)”, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Përfitoj nga rasti të falenderoj EURALIUS-in për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që i ka dhënë organeve të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe Prokurorisë së Përgjithshme në vecanti.
Jam informuar se EURALIUS ka qenë i pranishëm dhe ka bashkëpunuar ngushtë me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në procesin e hartimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për Policinë Gjyqësore”, proces i cili rezultoi i përfunduar me sukses dhe me produkte konkrete.
Një bashkëpunim i rëndësishëm me Euralius lidhet me projektimin e sistemit të menaxhimit të rasteve në zyrat e prokurorisë. Fondi i Bashkimit Europian nëpërmjet IPA-s, ka lëvruar 2,8 milion Euro për informatizimin e menaxhimit të rasteve në sistemin e prokurorisë, një system që vlerësohet si shumë i rëndësishëm në drejtim të transparencës dhe efektivitetit tëpunës së organit të prokurorisë.
Për t’u përmendur është edhe asistenca e ekspertëve të EURALIUS në drejtim të përcaktimit të kritereve të unifikuara në lidhje me menaxhimin e përditshëm të zyrave të prokurorive pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Procesi është konkretizuar me miratimin e një rregullore “tip” që  parashikon rregulla të unifikuara për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të zyrave të prokurorive në rrethe.
Një asistencë konkrete dhe shumë e dobishme nga ana e ekspertëve të EURALIUS kanë qenë rekomandimet e tyre për funksionet dhe përmbajtjen e çdo regjistri në lidhje me procedimet penale në sistemin e prokurorisë. Rrjedhojë e këtyre rekomandimeve ishte konceptimi i modeleve të reja të regjistrave në sistemin e prokurorisë. Hartimi i tyre vlerësohet si shumë i rëndësishëm, pasi për herë të parë në organin e prokurorisë do të kemi një sistem të unifikuar të hedhjes dhe të mbajtjes së të dhënave që lidhen në tërësi me procedimin penal. Gjithashtu, kjo mënyrë e re e menaxhimit dhe e dokumentimit të procedimit penal do të shërbejë edhe si një hap përgatitor drejt zbatimit të suksesshëm të “Case Management” si dhe të një saktësie më të madhe të të dhënave statistikore, analiza shkencore e të cilave do të na ndihmojë në administrimin e drejtësisë penale në mënyrën e duhur. 
Gjatë kësaj periudhe dhe në vazhdim, asistenca e ekspertëve të EURALIUS ka qenë e pranishme edhe në drejtim të Trajnimeve Pilot të përbashkëta të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve dhe të shërbimeve, kryer në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Të nderuar pjesëmarrës, dëshiroj me këtë rast të theksojë se NE do të jemi të angazhuar për të forcuar besimin e publikut tek institucioni i Prokurorisë. Për këtë qëllim do të kërkoj në vazhdimësi impenjimin maksimal në drejtim të kontrollit të brendshëm, me qëllim luftën e fenomeneve antiligjore që mund të shfaqen në institucionin e akuzës.
Jemi të vendosur të promovojmë vlerave më të mira në radhët e prokurorëve, por nga ana tjetër do të tregohet me veprime konkrete, nëpërmjet kontrollit, se nuk do të tolerohen rastet e abuzimit me detyrën.
Duke e parë prokurorin si shërbëtor të ligjit, do të synojmë me punën tonë që interesi i prokurorit të mos jetë thjesht të fitojë një cështje, por që në cdo rast të BËHET DREJTËSI.
Do të përpiqemi të bëjmë drejtësi duke patur parasysh se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. 

Faleminderit !!!!