Njoftime për Shtyp

Falsifikonin dokumente, letërnjoftime e pasaporta, Prokuroria Tiranë arreston 3 shtetas, sekuestrohen kartmonedha të falsifikuara

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka filluar proçedimin penal për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”, “Prodhimi i mjeteve për falsifikim” dhe “Pastrimi produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 186, 189, 192  e 287 të K.Penal 
Objekt i hetimit rezulton të jetë një grup falsifikatorësh të cilët kryenin detyra të veçanta sipas roleve përkatëse për falsifikimin e çdo lloj dokumenti.
Hetimi është ndjekur me metoda proaktive si përgjime, vëzhgime dhe blerje të simuluar duke lidhur marrëveshje bashkëpunimi me bashkëpunëtorë lidhur me kryerjen e blerjeve të simuluara si dhe përgjimin e personave të dyshuar. 
Në vijim të hetimeve pas dokumentimit të plotë të veprimtarisë kriminale, u kërkua nga ana e Prokurorisë caktimi i masës së sigurisë “arest në burg“ për shtetasit: 

G.Xh.; 
A.B.; dhe
Sh.B.
Si dhe u kërkua lejimi i kontrollit të disa ambienteve. U kryen kontrollet në 5 ambiente ku u sekuestruan celularë, usb, lap-topë, certifikata pronësie, dokumente dhe kartmonedha të falsifikuara etj.
Hetimet janë në vijim për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë gjithë përfituesit e këtyre dokumenteve të falksifikuara pasi dyshohet se këto dokumente janë përdorur për të përfituar pasuri, për t’i shpëtuar kërkimit apo për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme kriminale.