Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, Z. Adriatik Llalla përpara trupës së prokurorëve, ne ceremoninë e marrjes së detyrës

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës, z. Spahia
E nderuar znj. Rama
Të nderuar kolegë prokurorë

Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë më ofruan besimin e tyre për të drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme dhe unë sot ju garantoj se këtë institucion do ta drejtojmë të gjithë bashkë, ku secili do të jap maksimumin në pozicionin e tij.

Unë kam bindje absolute se kemi mundësitë reale për t’i ofruar publikut integritetin tonë moral për ta forcuar besimin e tij tek puna jonë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit. Kjo do të jetë sfida jonë prioritare.

Pjesa më e madhe e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore janë njerëz me dinjitet dhe cilësi të larta morale e profesionale, të cilët përditë përballen me vështirësi të mëdha përballë krimit dhe korrupsionit. Janë njerëz të devotshëm dhe të përkushtuar. Pikërisht, këta prokurorë kanë nevojë për mbështetje dhe motivim dhe kjo është ajo që unë do të bëj, të mbështes prokurorët e ndershëm që pakompromis përballen me krimin.

Ligji e ka të mirëpërcaktuar pavarësinë e institucionit të Prokurorisë në vendimmarrje. Këtë pavarësi na e jep vetëm puna jonë, nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse prokurori i merr vendimet vetëm duke u bazuar në ligj, atherë ai është i pavarur nga krimi, është i pavarur nga politika, dhe është i lirë të marrë ç’do vendim që i dikton ligji dhe bindja e brendshme.

Një tjetër prioritet gjatë ushtrimit të mandatit tim është fitimi i besimit që vetë prokurorët duhet të kenë në organin e prokurorisë. Të gjithë duhet të jenë të bindur se puna, ndershmëria dhe përfaqësimi dinjitoz i akuzëz në emër të shtetit do të jenë të vetmet kritere që do të ndikojnë në karrierën tuaj.
Ju faleminderit!

 

Data: 10.12.2012