Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, Z. Olsian Çela në mbledhjen e prokurorëve për zgjedhjen e anëtarit prokuror në KLP

Nisur nga mundësia që na krijon kjo mbedhje për të qenë të gjithë në një sallë, çmoj të nevojshme t’ju drejtohem prokurorëve të juridiksionit të përgjithshëm në lidhje me disa çështje që lidhen me funksionimin e prokurorisë, të cilat edhe pse janë trajtuar në analizat vjetore të punës meritojnë vëmendje të vazhdueshme. 

Së pari duhet të shpreh vlerësimin për punën e kryer përgjatë një periudhe komplekse në aspektin profesional dhe personal për secilin prej jush. Në të gjitha nivelet prokuroritë janë ndeshur me vështirësi për shkak të numrit të ulët të prokurorëve dhe rritjes së ngarkesës së punës. Ndërkohë, një pjesë e mirë e prokurorëve ende duhet të kalojnë procesin e rivlerësimit kalimtar, çka ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës. Ndaj është e rëndësishme që çdo vlerësim i performancës suaj apo i prokurorive ku ju ushtroni funksionet  të mos bëhet pa marrë në konsideratë këtë kontekst të pafavorshëm për funksionimin normal të institucionit.

Të dhënat statistikore tregojnë një rritje konstante të procedimeve penale në ndjekje në vitet e fundit, ndërsa ka rënë ndjeshëm numri i prokurorëve në rang vendi për shkak të efekteve të procesit të rivlerësimit kalimtar. Me gjithë këto tendenca me kahe të kundërta, është rritur numri i çështjeve të dërguara për gjykim ashtu si dhe numri i të pandehurve dhe i të dënuarve, ndërsa ka një rënie të ndjeshme e konstante të pafajësive. Duke marrë në konsideratë kushtet në të cilat po funksionojnë prokuroritë, këta janë tregues pozitivë që pasqyrojnë një angazhim serioz të prokurorëve në përmbushjen e funksioneve të tyre, cilësi të mirë të hetimit dhe përfaqësimit në gjykim.  

Mungesat në organikë megjithatë kanë sjellë  një ngarkesë të shtuar të çështjeve të mbartura. Siç edhe e tregojnë shifrat që përmenda më lart, edhe pse regjistrimet e çështjeve të reja kanë pësur një rënie graduale në vitet e fundit, totali i procedimeve penale të trajtuara ka ardhur në rritje. Duke iu referuar statistikave të 8-mujorit të vitit 2022, ka një ngarkesë të shtuar të punës sidomos në disa nga prokuroritë e vendit. Situata paraqitet shqetësuese sidomos në Berat, Sarandë e Lushnjë, ku rezulton se mesatarja e çështjeve të mbartuara dhe regjistruara gjatë këtij viti për çdo prokuror kalon shifrën 300. Ka një shpërpjestim të madh të ngarkesës së këtyre prokurorive me prokuroritë e rretheve gjyqësore Pogradec, Kurbin, Kukës, Mat e Pukë, ku numri zbret nga 165 çështje për prokuror në Pogradec në 58 të tilla në Pukë. 

Shkaqet janë trajtuar tashmë gjatë analizave vjetore duke qenë se problemet janë akumuluar ndër vite, megjithatë sjellja e këtyre të dhënave sot i shërben ilustrimit të gjëndjes në të cilën ndodhen prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe shprehjes së nevojës për një angazhim shumëplanësh për kapërcimin e kësaj situate. Shtimi i prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore duhet të japë rezultate ashtu siç ka dhënë tashmë në disa nga prokuroritë e tjera ku situata është përmirësuar. Drejtuesit dhe prokurorët duhet të intensifikojnë punën e tyre për uljen e ngarkesës së krijuar, e cila ndikon edhe në cilësinë e hetimit dhe përfaqësimit në gjykim. Besoj se harta e re gjyqësore dhe prurjet në sistem nga Shkolla e Magjistraturës, përveç se do të mundësojnë frenimin e rritjes së ngarkesës së punës për çdo prokuror, do lejojnë menaxhimin më të mirë të shpërndarjes së çështjeve dhe uljen e mbartjeve të procedimeve penale në vitet pasardhëse.

Dua të ndalem sot edhe në disa çështje të tjera që duhet të vlerësohen maksimalisht nga prokurorët dhe drejtuesit.  Ende nuk ka rritje sa i përket aplikimit të gjykimit me marrëveshje apo urdhrit penal, që do të duhet të lehtësonin ngarkesën e punës në prokurori dhe gjykata. Është kjo një çështje e trajtuar vazhdimisht në analizat e punës, ndërsa ka qenë edhe në fokusin e rezolutave të Kuvendit apo rekomandimeve të Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit.  

Numri i hetimeve te nisura kryesisht mbetet ende i ulët në raport më atë çfarë është pritshmëria. Ky tregues merr një rëndësi specifike nëse do ta vlerësonim edhe nga këndvështrimi i pritshmërive të publikut. Sistemi i drejtësisë duhet t’i kthejë qytetarëve besimin se më në fund institucionet e këtij vendi janë aty për t’u shërbyer atyre dhe jo vetvetes. Qëndrimi në pozita pritëse apo reagimi i vakët ndaj atyre që janë çështjet me rëndësi për vendin, dëmtojnë imazhin e institucionit dhe besimin e publikut tek ai. Prokurorët nuk duhet të neglizhojnë nisjen e verifikimeve dhe hetimeve në çdo rast kur ka denoncime publike serioze për fakte penale. 

Në këtë kontekst, është për të ardhur keq që ende në vitin 2022, duhet të përballemi me një  fenomen të shëmtuar e me pasoja shpesh të parikuperueshme si ndërtimet pa leje. Prokuroria duhe të tregojë se është një institucion serioz dhe i aftë, që i shërben mbrojtjes së interesit publik, përmes hetimeve që duhet te pëfshijnë si autorët, ashtu edhe të gjithë personat që kanë pasur për detyrë kontrollin e territorit e që me veprime apo mosveprime kanë lejuar ngritjen e këtyre ndërtimeve. Masat e aplikuara duhet të jenë të forta dhe të kenë efekte parandaluese për të ardhmen. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ka një mosbesim të thellë e të përhapur ndaj punës sonë. Është e pafalshme që mosfunksionimi si duhet i sistemit të drejtësisë t’u përcjellë qytetarëve ndjenjën e pafuqisë dhe dorëzimit përballë të keqes, teksa ata shohin se si disa individë ia dalin të sfidojnë haptazi institucionet dhe ligjet e vendit. Duhet ta ndryshojmë një herë e mirë perceptimin se ligji aplikohet vetem ndaj më të dobtëve.  Ka ardhur koha të tregojmë me fakte ndarjen nga praktikat e së kaluarës.

Lufta ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale dhe goditja e aseteve me origjinë nga krimi mbeten prioriteti ynë. Ndërsa ka progres në disa aspekte dhe kjo është vlerësuar edhe nga organizmat ndërkombëtare që monitorojnë nga afër Shqipërinë në këtë fushë, rezultatet e hetimeve pasurore nuk janë ato që priten. Edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë vihet theksi në nevojën për përmirësime të treguesve në këtë drejtim. Drejtuesit e prokurorive duhet të jenë aktivë përmes mirëadministrimit të kapaciteteve të zyrave me fokusimin drejt fushave prioritare të luftës ndaj krimit. Ata duhet të bëjnë më shumë në nxitjen e hetimeve pasurore si dhe në koordinimin me agjensitë e tjera përgjegjëse në goditjen e krimeve me natyrë financiare.

Mbeten shumë shqetësuese rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet. Hetimet e nisura duhet të vazhdojnë e të thellohen për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të çdo shkelësi të ligjit. Ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës për të cilat ka pasur disa denoncime publike janë tronditëse pasi përveç pasojave që mund të kenë shkaktuar, dëmtojnë thellësisht besueshmërinë e institucioneve përgjegjëse për mbajtjen dhe sigurimin e tyre.  Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorët. Nuk mund të vazhdohet më me hetime të bujshme që i mbulon pluhuri i harresës. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdo qofshin ata, dhe rezultatet duhet t’i bëhen të ditura publikut.  

Dhuna në familje dhe ajo ndaj të miturve ka qenë në fokus të punës sonë tashmë prej një kohe të gjatë. Gjej vendin këtu që të shpreh vlerësimin për arritjet që kemi pasur në goditjen e këtyre krimeve. Megjithë ashpërsimin e dënimeve apo aplikimin e masave ekstreme të sigurimit, nga të dhënat statistikore nuk rezulton të ketë një tendencë në rënie të këtyre veprave penale. Pa asnjë dyshim prokuroria do të vazhdojë të luajë rolin e saj thelbësor si deri më sot në përballjen me këtë sfidë të madhe për shoqërinë shqiptare, por të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se këto janë fenomene që nuk mund të përballohen vetëm me përgjigjen penale, por me një qasje shumëdimensionale që përfshin edhe aspektet sociale, ekonomike e kulturore. 

Koordinimi mes prokurorive të jurdiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme ka funksionuar mjaft mirë që në hapat e para të krijimit të strukturës së re. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet për vendin dhe ndërveprimi mes strukturave tona mbetet tejet i rëndësishëm për arritjen e objektivave.
Konstatoj se mbetet shumë për t’u bërë në drejtim të rritjes së performancës së policisë gjyqësore. Sistemi i ri i raportimit të veprimeve hetimore i miratuar para pak ditësh synon një mbikqyrje më të mirë të drejtuesve mbi punën e tyre. Informacioni statistikor do t’i ndihmojë ata në organizimin më të mirë të punës përmes shpërndarjes së balancuar të ngarkesës dhe eleminimit të zvarritjes së hetimeve. Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme do te ndiqet me prioritet aplikimi me efikasitet i këtij sistemi statistikor. Falë mbështetjes që na është dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë, sot kemi pothuaj në të gjitha rrethet gjyqësore një numër të barabartë të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Përmes rritjes së numrit të oficerëve të policisë gjyqësore është synuar mbështetja për prokurorët në kushtet e mungesave te shumta në organikë, por kjo masë do të lehtësojë edhe punën e tyre në vazhdimësi pas plotësimit të organikave.

Efikasiteti në hetimin dhe ndjekjen penale është i lidhur pazgjidhshmërisht me mirëfunksionimin e zyrave të prokurorive. Gjetja e një ekuilibri të shëndetshëm mes forcimit të pavarësisë dhe sigurimit të llogaridhënies së prokurorëve mbetet një sfidë reale dhe konstante në funksionimin e prokurorisë. Arritja e këtij qëllimi varet shumë nga zbatimi korrekt i kuadrit ligjor dhe udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm. Roli aktiv i drejtuesve është vital si në orientimin e aktivitetit të punës së zyrave në drejtimet kryesore të luftës ndaj kriminalitetit e ndjekjen e objektivave institucionalë, ashtu edhe në sigurimin e kohezionit të insititucionit në të gjitha shkallët. 

Tashmë prokurorët janë realisht të pavarur, dhe këto nuk janë fjalë boshe. Sot ju jeni të mbrojtur nga ligji, ka një sërë institucionesh që garantojnë palëvizshmërinë tuaj në detyrë dhe jeni po aq mirë të trajtuar financiarisht, një element tjetër ky që forcon pavarësinë. Askush nuk mund të influencojë vendimet tuaja. Ruajeni fort pavarësinë funksionale, por ju kërkoj që po kaq fort t’i përkushtoheni përmbushjes së misionit që keni marrë përsipër, me integritet moral e profesional.  Tashmë, për çdo vendimarrje, jeni ju përballë qytetarëve. Ata presin që secili prokuror të kryejë detyrën. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Sot më shumë se kurrë më parë. 

Ne jemi përpjekur të ndërtojmë një marrëdhënie të re dinamike e të standartizuar me median dhe publikun, përmes sigurimit të transparencës që përmbush edhe një nga format e llogaridhënies për veprimtarinë e institucionit. Ndaj është e nevojshme që çdo drejtues prokurorie e prokuror të integrohet në këtë qasje të re, e cila është bashkëkohore dhe siguron një komunikim të qartë të punës që bëjmë. 

Së fundmi, ndërsa sot jemi mbledhur për zgjidhjen e një anëtari të ri te KLP, gjej rastin të vlerësoj atmosferën bashkëpunuese e konstruktive në marrëdhënien mes dy institucioneve tona. E vlerësoj këtë raport si thelbësor në organizimin e ri të prokurorisë, dhe përmirësimi i kësaj marrëdhënie në mënyrë konstante, është provë e vullnetit tonë të përbashkët për ecjen përpara të reformës në drejtësi.

Duke e mbyllur dua t’u uroj sukses në garë kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka mirëfunksionimi i tyre për sistemin e drejtësisë.