Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm në analizën vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë

I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
I nderuar z. Kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë,
Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,

Lufta kundër kriminalitetit në përgjithësi dhe korrupsionit në veçanti kërkon bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë.
Kjo luftë është një sfidë e përditshme, e cila kërkon angazhim maksimal nga të gjithë institucionet ligjzbatuese.

Bashkëpunimi i deritanishëm ka pasur disa rezultate në luftën kundër grupeve kriminale, por edhe korrupsionit.
Gjithësesi, duhet pranuar se kemi shumë për të bërë së bashku. Kemi ende raste të rënda që kërkojnë impenjimin tonë të përbashkët për t’i zbardhur.

Kanë ndodhur disa ngjarje të rënda kriminale, të cilat shtojnë pasigurinë në opinionin publik dhe është shumë e rëndësishme që të hetohen në mënyrë të shpejtë. Kjo është e nevojshme për të dëshmuar se institucionet janë të vendosur për zbatimin e ligjit.
Grupet kriminale kanë aftësinë që të penetrojnë edhe në zyrat e shtetit. Nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Por ne kemi detyrën të zbulojmë rastet kur elementët kriminale gjejnë mbështetjen e personave me pushtet.

Në nivel titullarësh është diskutuar nevoja e rritjes së hetimeve për korrupsionin në nivele të larta. Gjatë vitit 2015, nga hetimet e Prokurorisë, në disa raste edhe me bashkëpunimin e Policisë, janë arrestuar zyrtarë të niveleve të ndryeshme përfshirë dhe punonjës të policisë së shtetit, gjyqtarë dhe prokurorë.

Por, nga ana tjetër, rezulton se nuk ka referime nga institucionet ligjzbatuese për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë. Unë e kam ndarë këtë shqetësim edhe me Ministrin e Brendshëm, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe kemi vlerësuar se duhet një impenjim shumë më i madh i strukturave përkatëse në institucionet e tjera ligjzbatuese. Antikorrupsioni është sfida jonë më e madhe për integrimin në Bashkimin Europian dhe duhet ta përballojmë bashkë.

Pak javë më parë u diskutua në nivel titullarësh për çështjet e Policisë Gjyqësore. Në atë takim u ra dakord për shtimin e numrit të oficerëve të Policisë Gjyqësore, me qëllim kryerjen e hetimeve sa më të plota në një kohë të shkurtër. Po ashtu, u diskutua edhe mbi problematikat që hasen.
Prokurorët kanë shqetësimin për lëvizjet e shpeshta të oficerëve të policisë gjyqësore, gjë e cila ul ritmin e hetimeve. Drejtuesit e Policisë kanë shqetësimin se jo gjithnjë nga ana e prokurorëve u delegohen veprimet hetimore oficerëve që kanë referuar materialet në Prokurori.

Nga ana tjetër, gjatë vitit 2015 u konstatua një problematikë e spikatur lidhur me ekspertimet në Policinë Shkencore. Burimet e reduktuara në kapacitete njerëzore dhe në mjete teknologjike kanë ndikuar në uljen e ritmit të hetimeve.

Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e kanë argumentuar situatën në Policinë Shkencore me numrin e lartë të procedimeve të regjistruara gjatë vitit të kaluar. Natyrisht, prokuroria e konstaton se ka rritje të volumit të punës. Gjithësesi, është shumë e rëndësishme që strukturat përgjegjëse kanë marrë përsipër që të përmirësojnë shërbimin e Policisë Shkencore. Në këtë mënyrë, do të vijojmë të jemi më efikas në luftën kundër krimit.
Këto janë çështje, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e strukturave drejtuese të institucioneve dhe ne jemi të angazhuar që t’i trajtojnë me seriozitet maksimal.
Ju faleminderit për vëmendjen