Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në takimin me temë “Reforma në drejtësinë penale”

“Forcimi i ligjit penal, domosdoshmëri”
Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në takimin me temë
“Reforma në drejtësinë penale

E nderuar znj. Beçaj
Të nderuar zonja dhe zotërinj ministra
Të nderuar drejtues të institucioneve dhe të ftuar të tjerë

Tema e takimit të sotëm është e një rëndësie shumë të madhe, e cila synon të finalizojë forcimin e ligjit penal në Shqipëri. Për këtë arsye, të gjithë duhet të shohim përpara, të bashkojmë energjitë pozitive dhe të reformojmë sistemin për të qenë më të suksesshëm në luftën kundër krimit.

Aktualisht, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në sfidën me elementët kriminalë. Por, megjithatë, të gjithë jemi dakord në një pikë: kërkohet më shumë. Strukturat e drejtësisë vijojnë të forcohen, por nga ana tjetër edhe krimi sofistikon mënyrën e veprimtarisë së tij. Për këtë arsye, institucionet shqiptare duhet të modifikojnë sjelljet e tyre, duhet të tregojnë vendosmëri maksimale dhe duhet të bashkëpunojnë më fuqishëm për të zbatuar drejtësinë me korrektesë të plotë.

Faktorët socialë dhe psikologjikë po nxisin përqëndrimin e veprave penale tek krimet e dhunshme, krimi në familje dhe krimet për gjakmarrje e hakmarrje. Por nga ana tjetër, edhe ai që konsiderohet si krimi i rrugës, pavarësisht goditjeve nga organet e drejtësisë, vijon të mbetet problematik.

Në këtë kuadër, forcimi i normave penale është i mirëpritur, pasi vlerësohet si një domosdoshmëri që ndikohet nga situata e sotme. Nëpërmjet aplikimit të dënimeve më të rënda, institucionet e drejtësisë do të dëshmojnë forcën e tyre reale dhe do të jenë më pranë qytetarëve për ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik.

Trupa e prokurorëve është orientuar drejt bashkëpunimit të ngushtë me organet e Policisë së Shtetit. Këto dy struktura kanë përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë për evidentimin, parandalimin dhe dërgimin e elementëve kriminalë para drejtësisë. Nga ana tjetër, prokurorët kanë porosi të veçantë që të kërkojnë në gjykatë dënimet maksimale që parashikon ligji penal. Në këtë mënyrë, synohet dhe, shprehim besimin, se do të jemi më të suksesshëm në luftën kundër krimit të çdo natyre, përfshirë edhe veprat penale të korrupsionit.

Të nderuar kolegë dhe të ftuar
Institucioni i Prokurorisë nxit çdo nismë drejt reformimit të politikës penale, e cila ka një rëndësi jetike për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Gjithashtu, shprehim gatishmërinë maksimale të japim kontributin tonë për të përmirësuar kuadrin ligjor aktual. 
Ju faleminderit!

 

Data 11.03.2013