Njoftime për Shtyp

Informacion nga Prokuroria Elbasan për procedim penal të ndjekur me metoda speciale hetimi që çoi në sekuestrimin e një sasie të madhe armësh zjarri


Më datë 19.10.2022, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr.1484 të vitit 2022, regjistruar për veprën “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 80 dhe 278 të Kodit Penal.

Nga informacionet e marra në rrugë operative-ligjore nga oficerët e DVP Elbasan është dyshuar se shtetasi L.G., vitlindjes 1985, banues në lagjja “Partizani” rruga “Mustafa Skuqi” Elbasan, mbante të fshehura në një vend të përshtatur në banesën e tij, një sasi të madhe armësh zjarri të cilat dyshohet se mund t’i përdorte për të kryer një ngjarje kriminale.

Për këtë arsye, me vendim Nr.840 datë 19.10.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur lejimin e kontrollit në banesën e këtij shtetasi.
Në datë 20.10.2022 është bërë ekzekutimi i këtij vendimi, ku nga kontrolli në banesën e këtij shtetasi dhe konkretisht në çatinë e banesës, janë gjetur e sekuestruar:
4 armë zjarri automatik;
3 armë zjarri pistoletë; 
5 silenciatorë; 
3 krëhër arme zjarri automatik;
115 fishekë model 56, 37 fishekë model 54; dhe
1.040 kg sasi e dyshuar lëndë plasëse tritol sëbashku me mekanizmin e saj.
Shtetasi L.G., ka lidhje shoqërore me interes me shtetasin R.S, dhe A.S. Ditët e fundit ai ka përdorur automjetin e shtetasit R.S, tip benz ngjyrë gri me targa AB 0.. FM. 
Shtetasi R.S. në momentin e kryerjes së veprimeve ligjore nga ana e oficerëve të DVP Elbasan dyshohet se ka fshirë të dhënat në aparatin e tij celular dhe se ka refuzuar të japë fjalëkalimin e këtij aparati. Në këto rrethana, ky shtetas dyshohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 301 dhe 302 të K.Penal. 
Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton dyshimi i arsyeshëm që municioni i gjetur i përket shtetasve R.S dhe A.S.
Materialet i’u dërguan Gjykatës së Shkallës së Parë Elbsan për vlerësimin e arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, kërkesa këto të pranuara nga gjykata ndaj të dy të hetuarve L.G dhe R.S.