Njoftime për Shtyp
Informacion nga Prokuroria Sarandë në lidhje me rastin e konfliktit mes të miturve, ku mbeti i plagosur një prej tyre
Duke marrë shkas nga interesi i lartë i medias dhe publikut për trajtimin e një rasti të një konflikti mes të miturve në qytetin e Sarandës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, bën me dije se më datë 28.03.2025, ka regjistruar procedimin penal nr.292/2025, për veprën penale “Plagosje e rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, parashikuar nga neni 88/b i K.Penal në ngarkim të të miturit në konflikt me ligjin dhe për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga neni 279/2 i K.Penal pa autor, në lidhje me ngjarjen e datës 27.03.2025, ku janë konfliktuar shtetasit e mitur K.C dhe B.K si dhe shtetasi XH.B.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, janë kryerë një sërë veprimesh hetimore dhe në lidhje me këtë çështje hetimet po vijojnë.
Bazuar në provat e administruara gjatë veprimeve të para hetimore, parashikimeve ligjore të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe Kodit të Procedurës Penale, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për të miturin në konflikt me ligjin, është paraqitur kërkesë për vleftësim arresti në flagrancë dhe caktim të masës së sigurimit me karakter shtrëngues ‘arrest në shtëpi”, kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe që vijon të jetë në fuqi.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë garanton të gjitha palët, publikun dhe mediat se po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësisë të çdo personi të përfshirë në ngjarje.